Nënshkruhet Deklarata e Përbashkët e Zotimit për reformë në drejtësi

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se deklarata, që do të bëhet publike së shpejti, do të shërbejë për forcimin e mekanizmave ekzistuese në sistemin e drejtësisë në vend

Ministria e Drejtësisë në Kosovë se bashku me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Këshillin e Prokurorisë së Kosovës dhe përfaqësues të institucioneve të tjera të drejtësisë kanë nënshkruar Deklaratën e Përbashkët të Zotimit për reformën në sistemin e drejtësisë, raporton Anadolu.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se deklarata, që do të bëhet publike së shpejti, do të shërbejë për forcimin e mekanizmave ekzistuese në sistemin e drejtësisë në vend.

“Kjo deklaratë parashikon një plan të detajuar për veprime të përbashkëta për adresimin e reformës në drejtësi, kontrollin e integritetit të gjyqtarëve, por po ashtu të prokurorëve… gjithashtu vlerësimin e performancës dhe disiplinimin dhe e njëjta do të bëhet përmes plotësimit të mekanizmave ekzistues të integritetit, performancës, por edhe disiplinimit ashtu siç edhe ka kërkuar Komisionin i Venecias në opinionin që ka dhënë për reformën në drejtësi”, theksoi Haxhiu.

Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, tha se është arritur deri te ky proces duke nisur nga fakti se të gjitha institucionet që e nënshkruan deklaratën kishin dhe vazhdojnë të kenë qëndrime të ndryshme për çështjen e amendamenteve kushtetuese.

Zogaj tha se Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka identifikuar tema mjaft substanciale që e përbëjnë reformën në sistemin në drejtësi, të cilat theksoi se “shpreson që do të kontribuojnë në avancimit e sundimit të ligjit në Kosovë”.

“Gjerësia dhe thellësia e reformës do të varet nga vlerësimet profesionale që do të bëhen nga ekspertët. Ne do të jemi të hapur të komunikojmë me partnerët, nënshkrues të kësaj letre zotuese, me partner zhvillimor, me shoqëri civile, mediat dhe gjithë ata që dëshirojnë t’i kontribuojnë këtij procesi”, theksoi Zogaj.

Deklarata e Përbashkët e Zotimit për reformën në sistemin e drejtësisë është dokument drejt avancimit dhe fuqizimit të ligjit aktual në Kosovë dhe buron nga rishikimi profesional i sundimit të ligjit bazuar edhe në raportet e Komisionit të Bashkimit Evropian (BE), opinionin e Komisionit të Venecias, si dhe shumë raporte e vlerësime të dala nga organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Me këtë dokument janë evituar sfidat dhe shqetësimet, si dhe propozimet e ngritura vazhdimisht nga Ministria e Drejtësisë, por edhe nga Këshilli Gjyqësor dhe ai i Prokurorisë i Kosovës.

Kategoritë
LajmeVendi