GJND ndoshta do të favorizojë Afrikën e Jugut dhe “të nxisë masa paraprake të përkohshme kundër Izraelit për të ndaluar gjenocidin”, tha profesoresha e së drejtës dhe globalizimit në Universitetin Queen Mary të Londrës
Çështja e Afrikës së Jugut përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) solli debatin lidhur me veprimet vdekjeprurëse të Izraelit në Gaza, të cilat grupet e të drejtave të njeriut dhe ekspertët në sferën globale politike dhe ligjore i konsiderojnë gjenocid.
Ekipi ligjor i Afrikës së Jugut ishte i vendosur në qëndrimin e tij se Izraeli është i përfshirë në aktivitete gjenocidale, duke kërkuar nga GJND-ja masa të veçanta të përkohshme që detyrojnë ushtrinë e saj të ndalojë operacionet në Rripin e Gazës.
Kur bëhet fjalë për akuzat për gjenocid, vërtetimi i qëllimit është kushti kryesor, kurse mbrojtja e Izraelit u fokusua në mohimin se ka ekzistuar ndonjëherë.
Megjithatë, Penny Green, profesoreshë e së drejtës dhe globalizimit në Universitetin Queen Mary të Londrës, beson se ka prova të mjaftueshme për të sugjeruar se veprimet e Izraelit në Gaza janë të barabarta me gjenocid, edhe atë me qëllim.
Një pjesë e kësaj, pohoi ajo, është thjesht për shkak të mënyrës se si Izraeli e ka kryer ofensivën ushtarake në Gaza, me një ndjenjë mosndëshkimi dhe duke shfaqur hapur armiqësinë e tij.
“Shtetet gjenocidale rrallë ia besojnë planet e tyre gjenocidale politikës apo shqyrtimit publik. Kështu që zakonisht deri te përfundimet duhet të arrihet duke analizuar veprimet e shtetit ose rrjedhjen e memorandumeve”, tha Green për Anadolu.
“Izraeli, në këtë rast përbën përjashtim. Me kryeneçësinë, arrogancën e një fuqie koloniale, ka bindjen se mund të vrasë, të shkatërrojë, të dëbojë, të poshtërojë, të burgosë dhe të dëbojë pa u ndëshkuar”, tha ajo.
Izraeli ka vepruar me “bindjen se ka mbështetjen e vazhdueshme financiare dhe morale të vendeve perëndimore, veçanërisht të SHBA-së”, shtoi ajo.
“Me ata që qëndrojnë pas tij, Izraeli nuk mund të kishte shprehur qëllimin e tij për të shkatërruar popullsinë e Gazës më qartë se sa e ka bërë. Mund ta shohim këtë qëllim të mishëruar në shpalljen e gjendjes së rrethimit total për Gazën, duke ndërprerë ushqimin, ujin, karburantin, energjinë elektrike dhe furnizimet mjekësore”, tha Green.
Green këtë e përshkroi si “deklaratë të qartë të qëllimit për të kryer gjenocid”, duke iu referuar Konventës së Gjenocidit të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 1948, e cila trajton vendosjen e qëllimshme të kushteve ndaj një grupi me qëllimin për shkaktimin e shkatërrimit fizik të pjesshëm ose të plotë.
– “Ata nuk kanë ku të mbështeten”
Sulmi i vazhdueshëm i Izraelit në Gaza, që nisi pas sulmit ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor, deri më tani ka lënë të vdekur më shumë se 25 mijë palestinezë dhe ka plagosur rreth 63 mijë të tjerë.
Sipas shifrave të OKB-së, që nga fillimi i ofensivës izraelite, 85 për qind e popullsisë së Gazës prej mbi 2 milionë banorësh janë zhvendosur brenda vendit, mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Ekspertët e OKB-së paralajmëruan përsëri javën e kaluar se veprimet e Izraelit në Gaza janë “gjenocid i hapur”, duke paralajmëruar se “banorët e Gazës tani përbëjnë 80 për qind të të gjithë njerëzve që përballen me urinë ose urinë katastrofike në mbarë botën”.
Për Green, argumentet e Izraelit në GJND ishin “shumë të dobëta” dhe ajo e karakterizoi performancën e ekipit të tyre ligjor si “të mangët” dhe “jo bindës”.
“Ata nuk kanë ku të mbështeten në fakt, sinqerisht. Pra, është shumë e vështirë për ta që të ndërtojnë një rast kundër argumenteve të Afrikës së Jugut”, tha ajo.
Kjo është arsyeja, shtoi ajo, pse ekipi izraelit u fokusua në çështjen e juridiksionit të GJND-së mbi rastin.
“Por ata nuk mund të mbroheshin kundër akuzave për gjenocid që parashtroi ekipi ligjor i Afrikës së Jugut”, theksoi ajo.
– “Argumente shumë të forta ligjore” nga Afrika e Jugut
Nga ana tjetër, Green vlerësoi prezantimin ligjor të Afrikës së Jugut, veçanërisht për theksimin e tyre në elementin vendimtar të qëllimit në vërtetimin e gjenocidit.
“Mendoj se ata kanë dhënë disa argumente shumë të forta ligjore. Mendoj se kanë punuar shumë për të vendosur qëllimin”, tha ajo.
Gjenocidi, shpjegoi Green, ka dy komponentë që duhet të vërtetohen në gjykatë, respektivisht qëllimi dhe ekzekutimi i atij qëllimi.
Ekipi i Afrikës së Jugut, theksoi ajo, kaloi shumë kohë që po diskuton “bombardimin e Gazës, shkatërrimin efektiv të Gazës me bombardime pa dallim, vrasjen masive të dhjetëra mijëra civilëve, pothuajse gjysma e të cilëve janë fëmijë”.
Siç tha ajo, ata folën për “shkatërrimin e lagjeve të tëra rezidenciale dhe infrastrukturës mjekësore dhe arsimore, zhvendosjen e detyruar dhe për vendosjen e një rrethimi total”.
“Tani po shohim uri dhe sëmundje si rezultat i atij rrethimi. Afrikano-jugorët gjithashtu folën edhe për vrasjet e shënjestruara të një numri të madh të personelit mjekësor dhe gazetarëve”, tha Green.
“Pra, ky është ekzekutimi ose kryerje e dukshme e gjenocidit”, shtoi ajo.
– Dëshmia e qëllimit gjenocidal
Më tej, Green tha se kur shohim të gjithë spektrin e udhëheqjes politike dhe ushtarake të Izraelit, duke përfshirë udhëheqjen komanduese, vërejmë se ky synim gjenocidal është shprehur në çdo nivel.
Ajo tha se pavarësisht pretendimit të Izraelit se ishin individë që bënin deklarata që nënkuptonin qëllimin e tyre për të kryer gjenocid, provat sugjerojnë të kundërtën.
“Në fakt, ekziston një organizatë, Ligji për Palestinën, e cila ka prodhuar një bazë të dhënash vërtet jetike me mbi 500 deklarata nga figura të larta politike, figura të larta ushtarake dhe figura të larta të famshme të kulturës brenda Izraelit”, tha ajo.
“Pra, provat e dëshirës dhe qëllimit të shtetit izraelit për të kryer gjenocid janë shumë, shumë të qarta”, tha ajo, duke përmendur kërcënimin e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për “të rrafshuar Gazën duke e kthyer atë në një ishull rrënojash”, ndërsa i krahasoi palestinezët me një fis të lashtë të njohur si Amalek, që përmendet në Biblën Hebraike si armik i kamotshëm i izraelitëve që duhen zhdukur.
Netanyahu deklaroi, në një mënyrë, se kjo ishte “një betejë e Izraelit kundër barbarëve, një betejë qytetërimesh … një betejë për izraelitët që kërkon shkatërrimin total të Gazës”, tha ajo.
“Pra, kam frikë se çështja izraelite nuk ka fare vlefshmëri, sepse në çdo nivel të Knessetit izraelit, në çdo nivel të ushtrisë izraelite, ne kemi parë deklarata shumë, shumë të qarta, shprehje të dëshirës për të shfarosur palestinezët”, pohoi Green.
Sipas ekspertes, ka prova shtesë që tregojnë qëllimin, veçanërisht kur merret parasysh “qëllimi themelor” i Izraelit.
Që në fillim, theksoi Green, Izraeli synoi të krijonte një shtet supremacist hebre sionist në Palestinën historike, duke pasqyruar objektivat e shteteve koloniale.
“Ky synim themelor, i cili kërkon domosdoshmërisht asgjësimin e popullsisë indigjene, e që u konceptua në vitin 1948 nga shteti i ri izraelit, në mënyrë eksplicite bënte thirrje për dëbimin sistematik dhe total të palestinezëve nga atdheu i tyre dhe ka qenë forca motivuese prapa persekutimit sistematik të palestinezëve nga Izraelit”, tha ajo.
– “Pritjet e vendimit të GJND-së”
Në vlerësimin e Green, GJND-ja ka gjasa të pranojë kërkesën e Afrikës së Jugut për masa të përkohshme.
“Ndoshta do të thotë, po, ekziston një rast i besueshëm se Izraeli po kryen gjenocid kundër palestinezëve në Gaza. Në atë rast, ata do të nxisin masa paraprake të përkohshme kundër Izraelit për të ndaluar gjenocidin”, tha ajo.
Ajo theksoi se vendimi kundër Afrikës së Jugut do të ketë pasoja të rënda për rendin juridik ndërkombëtar.
“Nëse gjykata vendos kundër Afrikës së Jugut, nëse gjykata mbështet Izraelin dhe thotë se nuk ka gjenocid, atëherë, nga këndvështrimi im, GJND-ja dhe rendi juridik ndërkombëtar ka marr fund”, tha Green.
Megjithatë, ajo gjithashtu nuk është shumë e sigurt nëse Izraeli do ta respektojë me të vërtetë fjalën e gjykatës.
“Netanyahu tashmë e ka bërë shumë të qartë se nuk do të ndalet derisa, siç e përshkruan ai, të eliminohet Hamasi. Dhe ajo që ai mendon është deri në shkatërrimin e plotë të Gazës”, tha ajo.
“Mendoj se gjykata me gjasë do të vendos në favor të afrikano-jugorëve. Nëse kjo do të ketë apo nuk do të ketë ndonjë ndikim mbi Izraelin, unë dyshoj, por mund të ketë ndikim ndaj SHBA-së dhe mund të ketë ndikim në vende si Arabia Saudite dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme që tashmë po e shohin më pak të favorshme në interesin e tyre që të mbështesin plotësisht SHBA-në në mbështetjen e saj ndaj Izraelit”, tha Green.