Nesër diskutohen masat e reja kundër Covid-19, a do të ketë shtrëngim masash?

Këtë të enjte pritet të mblidhet Komiteti për Vlerësim dhe Koordinim për të diskutuar lidhur me masat e reja kundër Covid-19. Faik Hoti, nga Ministria e Shëndetësisë thotë se rritja e numrit të rasteve të infektimit favorizon shtrëngimin e masave.

“Realisht për shkak te variantit Omicron i cili tashmë është dominues në shumicën e shteteve të Europës edhe në shtetet e Ballkanit ka qenë e pritshme se do të ketë një rritje të rasteve, një ngritje të shpejtë të themi ashtu. Ne mund të presim ngritje të rasteve edhe në ditët në vijim duke pasur parasysh karakteristikat që ka ky variant”, tha Hoti.

“Ajo çka për MSH dhe institucionet tjera është me rëndësi, tani që të kemi parasysh dhe ti analizojmë dy indikatorët që e pasqyrojnë më së realisht situatën me Covid që është numri në spitale dhe numri i rasteve që përfundojnë me fatalitet”, tha ai për RTV Dukagjini.

“Pasqyra klinike e rasteve të prekura duket që është për fat të mirë më e lehtë dhe deri më tash institucionet tona, ato që merren me trajtimin klinik të rasteve nuk kanë pasur problem në menaxhimin klinik të rasteve. Kjo nuk do të thotë që në ditët në vijim nuk do të kemi rritje të numrit të pacientëve që do të kërkojnë tretman spitalor për çka ne duhet të jemi të përgatitur dhe ti kemi në dispozicion të gjitha kapacitetet”, shtoi Hoti.

“Me gjasë  takimi i Komitetit për Vlerësim dhe Koordinim do të mbahet ditën e nesërme në ndërtesën e qeverisë. Ky është një mekanizëm që përfaqëson institucionet të ndryshe të qeverisë’, tha ai.

“Rritja e numrit të rasteve favorizion shtrëngimin e masave për shkak se duhet frenuar përhapja e mëtejme dhe ajo që është më e rëndësishme është që numri i rasteve që paraqiten të jenë raste të menaxhueshme”, tha Hoti.

Kategoritë
Lajme