Nesër përcaktohet fituesi i UEFA Super Kupës 2022

Real Madrid dhe Eintracht Frankfurt, nesër do të përballen për të përcaktuar fituesin e UEFA Super Kupës

Fituesi i UEFA Ligës së Kampionëve, Real Madrid, si dhe fituesi i UEFA Ligës së Evropës, Eintracht Frankfurt, nesër do të përballen për të përcaktuar fituesin e UEFA Super Kupës, raporton Anadolu Agency (AA).

Ndeshja do të luhet në orën 21:00 në Stadiumin Olimpik të Helsinki, kryeqytetin e Finlandës, ndërsa Michael Oliver nga Federata e Futbollit e Anglisë do të jetë arbitri i ndeshjes.

Palët pas 62 vitesh për herë të parë do të luajnë finale në Evropë. Të dy klubet më parë janë përballur në finalen e Kupës së Klubeve të Kampionëve 1959-60, ndeshje kjo të cilën e ka fituar Real Madrid-i me rezultat prej 7-3, duke e fituar për të pestën herë radhazi.

Ndërkohë, Teknologjia Gjysmë-Automatike Offside (SAOT) do të zbatohet për herë të parë në UEFA Super Kupën. Sistemi i ri do të funksionojë falë kamerave speciale që mund të gjurmojnë 29 pika të ndryshme të trupit për lojtar.

Real Madrid ka luajtur 7 herë në UEFA Super Kupë duke arritur ta fitojë 4 herë. Eintracht Frankfurt nga ana tjetër për herë të parë do të dalë në ndeshje të kësaj kupe.

Kategoritë
LajmeSport