Nesër “Termokosi” nis ngrohjen e kryeqytetit, do të faturoheni aq sa shpenzoni

Termokosi, të martën nis zyrtarisht sezonin e ngrohjes për 17 mijë e 500 konsumatorë, të cilët janë të kyçur në rrjetin e ngrohjes.

Kështu kanë zyrtarë të Termokosit, duke shtuar se risi e këtij sezoni ngrohës do të jetë që faturimi do të bëhet sipas konsumit.

Përderisa sezoni dimëror po afrohet, Termokosi tashmë ka bërë të gjitha përgatitjet për një fillim të mbarë me ngrohje. Në këtë kuadër, zëdhënësja e Termokosit, Afërdita Uka, tha për Radio Kosovën se janë gati për një furnizim sa më të mjaftueshëm dhe sa më cilësor për të gjithë konsumatorët e rrjetit Termokos.

“Sipas rregullores së ZRRE-së për furnizim me energji termike, do të fillojmë nesër zyrtarisht sezonin ngrohës. Do të fillojë furnizimi me ngrohje për të gjithë konsumatorët që janë të kyçur në rrjetin e ngrohjes, dhe po ashtu edhe lagjet e reja ku tashmë i kemi kyçur gjatë sezonit të fundit ngrohës”, tha Afërdita Uka.

Uka tutje shtoi se, gjatë këtij viti janë bërë riparime në rrjetin e ngrohtores, në ato vende ku ka qenë e nevojshme për intervenim, teksa ka treguar edhe risit për mënyrën e faturimit.

“Risi e këtij sezoni ngrohës do të jetë faturimi sipas konsumit. Këtë vit është hera e parë që ne startojmë te 17 mijë e pesëqind konsumatorët tanë te të cilët kemi vendosur pajisjet që shërbejnë për faturimin sipas konsumit. Pra, do të fillojë në këtë vit ky faturim”, u shprehë ajo.

Termokosi , apelon te qytetarët që gjatë këtij sezoni ngrohës ta shfrytëzojnë racionalisht ngrohjen që e ofron Termokosi. Duke u përpjekur që të bëjnë kursimet e nevojshme, pasi që tash e tutje do të paguajnë aq sa shpenzojnë.

Kategoritë
BotaLajme