Nesër zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Turqi, mbi 64 milionë qytetarë me të drejtë vote

Presidenti aktual Recep Tayyip Erdoğan, pastaj Kemal Kılıçdaroğlu dhe Sinan Oğan, sipas renditjes në fletëvotim, janë kandidatët për president të Türkiye-s

Qendrat e votimit në të gjithë Türkiye-n do të hapen të dielën në orën 08:00 me orën lokale, ku do të fillojë votimi për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, raporton Anadolu.

Qytetarët e Türkiye-s do të votojnë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare dhe do të zgjedhin mes tre kandidatëve presidencialë dhe 24 partive politike dhe 151 kandidatëve të pavarur për Parlamentin, i cili ka gjithsej 600 vende.

Të drejtë vote kanë 64.11 milionë njerëz ndërsa më shumë se 4.9 milionë qytetarë turq votojnë për herë të parë.

Presidenti aktual Recep Tayyip Erdoğan, Kemal Kılıçdaroğlu dhe Sinan Oğan, sipas renditjes në fletëvotim, janë kandidatët për president të Türkiye-s. Kandidati i katërt, Muharrem Ince, tërhoqi më herët kandidaturën.

Presidenti Erdoğan është kandidati i Aleancës Popullore të udhëhequr nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), kreu i së cilës është ai. Kemal Kılıçdaroğlu është kandidati i Aleancës Kombëtare të opozitës, e udhëhequr nga Partia Popullore Republikane (CHP). Sinan Oğan është kandidat i Aleancës ATA ndërsa Muharrem Ince ishte kandidat i Partisë së tij Atdheu, para se të tërhiqte kandidaturën të enjten.

Qendrat e votimit do të jenë të hapura deri në orën 17:00 me orën lokale në 87 rajone. Qendrat e votimit ishin hapur më parë jashtë Türkiye-s në 75 shtete dhe 156 përfaqësi të këtij vendi.

Votimi në pikat kufitare filloi më 27 prill ndërsa në përfaqësitë diplomatike më 5 maj dhe zgjati deri më 9 maj, sipas orarit të përcaktuar më parë. Më shumë se 3.41 milionë qytetarë janë regjistruar për të votuar nga jashtë.

Siç ka njoftuar Komisioni i Lartë i Zgjedhjeve të Türkiye-s, rezultatet jo të plota do të shpallen në të njëjtën ditë, në orët e para pas mbylljes së qendrave të votimit.

– Karagöz: Anadolu gati për të monitoruar zgjedhjet e 14 majit, një program special i përgatitur

Prej 15 muajsh, Anadolu ka punuar në mënyrë aktive në përgatitjet për monitorimin e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, të cilat do të mbahen të dielën në Türkiye dhe për t’ju ofruar në kohën e duhur rezultatet e zgjedhjeve abonentëve të saj, një softuer special është përgatitur, tha të enjten kryetari i Bordit Drejtues dhe Drejtori i Përgjithshëm i Anadolu, Serdar Karagöz.

Karagöz foli për aktivitetet dhe përgatitjet që Anadolu po kryen për mbledhjen e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të 14 majit dhe dorëzimin e tyre tek abonentët.

Duke theksuar se agjencia është gati për zgjedhjet dhe se nga shkurti i vitit 2022 po punon që rezultatet e zgjedhjeve t’u dërgojë abonentëve të saj sa më shpejt që të jetë e mundur, Karagöz tha se Anadolu ka zhvilluar një softuer special përmes të cilit të dhënat do të shndërrohen në grafikë. Punonjësit e Anadolu në terren do të skanojnë procesverbalet e nënshkruara nga qendrat e votimit dhe do t’i dërgojnë kopjet e tyre të skanuara në Qendrën Zgjedhore të Anadolu.

Duke deklaruar se rreth 2.500 njerëz, përfshirë punonjës me orar të plotë dhe punonjës të angazhuar me honorar, gazetarë të pavarur dhe shërbime mbështetëse, do të marrin pjesë në terren në të gjithë Türkiye-n për të mbledhur të dhëna zgjedhore, Karagöz tha:

“Edhe unë do të jem në terren. Shkolla që më është caktuar dihet dhe unë do të jem atje. Do të përcjell një foto të raportit të rezultateve të zgjedhjeve me nënshkrim nga qendra e votimit në qendrën e monitorimit të zgjedhjeve”.

Ai tha se numri i kutive të votimit është mbi 190 mijë dhe se 2.500 punonjësit e agjencisë nuk do të mjaftojnë. Karagöz tha se edhe në këtë drejtim kanë ndërmarrë aktivitete shtesë.

Karagöz tha se përveç rreth 2.500 punonjësve që punojnë në Anadolu, punonjësit e kompanisë kërkimore, me të cilën është lidhur kontrata, do të transferojnë edhe paraqitje vizuale të raporteve nga qendrat e votimit dhe do t’i dërgojnë në sistem.

Duke folur për rolin e Anadolu në zgjedhje, Karagöz nënvizoi se ajo nuk është pjesë e zgjedhjeve, por i ndjek ato për klientët e saj.

Ai tha se është e rëndësishme të ndryshohet perceptimi se Anadolu publikon rezultatet. Siç tha ai, Anadolu ndjek zgjedhjet për abonentët e saj dhe rezultatet e zgjedhjeve publikohen nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor.

Kategoritë
BotaLajme