“Siç kam premtuar, një ditë pas luftës në Gaza, as Hamasi dhe as Autoriteti Palestinez nuk do të jenë atje”, ka thënë kryeministri izraelit
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë sot se nuk do të lejojë as Hamasin dhe as Autoritetin Palestinez të marrin kontrollin e Rripit të Gazës pas luftës gjenocidale të Izraelit, transmeton Anadolu.
“Siç kam premtuar, një ditë pas luftës në Gaza, as Hamasi dhe as Autoriteti Palestinez nuk do të jenë atje”, tha zyra e Netanyahut në një deklaratë.
Kryeministri izraelit ka thënë se është “i përkushtuar ndaj planit të presidentit (të SHBA-së) (Donald) Trump për të krijuar një Gazë ndryshe”.
Trump ka bërë vazhdimisht thirrje për marrjen e kontrollit të Gazës dhe zhvendosjen e popullsisë së saj për ta zhvilluar atë në atë që ai e ka quajtur “Riviera e Lindjes së Mesme”. Ideja është hedhur poshtë me forcë nga bota arabe dhe shumë vende të tjera, të cilët thonë se kjo përbën spastrim etnik.
Netanyahu ka refuzuar çdo rol të Autoritetit Palestinez me bazë në Ramallah në drejtimin e Gazës së pasluftës. Palestinezët, megjithatë, refuzojnë çdo marrëveshje qeverisjeje alternative të imponuar nga Izraeli.
Një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbimi i të burgosurve ka qenë në fuqi në Gaza që nga 19 janari, duke ndalur luftën gjenocidale të Izraelit që ka vrarë rreth 48.300 palestinezë dhe e ka kthyer enklavën në gërmadha.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti në nëntor të vitit të kaluar për Netanyahun dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.