Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se marrëveshja midis SHBA-ve dhe Teheranit mund të funksionojë vetëm nëse objektet bërthamore të Iranit shpërthehen fizikisht dhe çmontohen.
Pas vizitës në Shtëpinë e Bardhë, gjatë së cilës ai u gjend papritur dhe publikisht në mospajtim me presidentin amerikan Donald Trump për çështje kyçe, Netanyahu po përpiqet të japë një vlerësim pozitiv për vizitën, ndërsa shprehte qëndrimet e tij për negociatat bërthamore me Iranin, tarifat tregtare dhe tensionet me Turqinë.
Sa i përket Iranit, Netanyahu në një deklaratë video tha se ai dhe Trump “bien dakord që Irani nuk do të ketë armë bërthamore”.
Ai tha se ky qëllim mund të arrihet në mënyrë diplomatike, por vetëm nëse ajo do të ngjante me çarmatosjen bërthamore të Libisë në vitin 2003, gjatë së cilës forcat amerikane shkatërruan ose morën komponentët e programit bërthamor të atij vendi.
“Ne hyjmë, i shpërthejmë objektet, e çmontojmë gjithë pajisjen, nën mbikëqyrje dhe zbatim amerikan – kjo është gjë e mirë”, tha Netanyahu.
Nëse kjo nuk ndodh dhe Irani thjesht zvarrit negociatat, atëherë “opsioni është ushtarak”, thotë ai, duke shtuar se ai dhe Trump kanë biseduar gjatë për këtë mundësi.
Sa i përket tarifave, Netanyahu tha se është i përkushtuar për ta ulur deficitin tregtar me SHBA-të në zero.
“Kjo është gjëja më e vogël që mund të bëjmë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për presidentin e tyre, i cili bën aq shumë për ne”, tha Netanyahu.
Duke iu referuar Sirisë, Netanyahu tha se Turqia dëshiron të vendosë baza ushtarake atje dhe se kjo përbën një rrezik për Izraelin.
“Ne jemi kundër kësaj, po veprojmë kundër kësaj. Ia thashë presidentit Trump, i cili është miku im – gjithashtu miku i Erdoganit: ‘Nëse kemi nevojë për ndihmën tuaj, do të flasim me ju për këtë’”, tha Netanyahu.
Trump e lavdëroi gjerë e gjatë Erdoganin gjatë takimit të tyre të djeshëm në Zyrën Ovale.
Netanyahu e vlerësoi vizitën si shumë të mirë, shumë të ngrohtë dhe tha se për disa gjëra do të dëgjohet më vonë.