“Kjo nuk është një protestë, është një luftë. Ne po luftojmë për t’i kthyer ata dhe ne nuk do të heshtim”, tha Elgarat, duke e krahasuar kryeministrin izraelit me “kapitenin e Titanikut”
Një i afërm i një pengu të mbajtur nga Hamasi në Rripin e Gazës ka fajësuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu se po pret deri në fund të mandatit të tij për të rikthyer pengjet dhe për t’i përdorur ata si element zgjedhor, transmeton Anadolu.
Danny Elgarat, vëllau i një pengu të mbajtur në Gaza, siç raporton Jerusalem Post, tha se Netanyahu po pret “fundin e mandatit të tij për t’i kthyer pengjet, si një arrtije për zgjedhjet”.
“Kjo nuk është një protestë, është një luftë. Ne po luftojmë për t’i kthyer ata dhe ne nuk do të heshtim”, tha Elgarat, duke e krahasuar kryeministrin izraelit me “kapitenin e Titanikut”.
Duke rrëfyer një moment nga kontakti i fundit me vëllain e tij para se ky i fundit të kapej rob, Elgarat tha se, “Kur Itzhak më foli në telefon para rrëmbimit, ai tha ‘ky është fundi, ky është fundi’. Nuk është fundi i tij, por fundi i Netanyahu-t”.
Të dielën, mijëra izraelitë filluan të mblidhen para parlamentit në Kuds për të kërkuar shkëmbimin e pengjeve me Hamasin dhe zgjedhje të parakohshme.
Katari, Egjipti dhe SHBA-ja po përpiqen të arrijnë një marrëveshje shkëmbimi pengjesh dhe një armëpushim në Gaza, pasi pauza e parë në fund të nëntorit zgjati vetëm një javë dhe rezultoi në hyrjen e ndihmave të kufizuara në Rripin e Gazës, si dhe shkëmbimin e pengjeve izraelite me të burgosur palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë të burgosur në burgjet izraelite.
Tel Avivi aktualisht mban të paktën 9.100 të burgosur palestinezë në burgjet e tij, ndërsa vlerësohet se ka rreth 134 pengje izraelite në Gaza. Hamasi ka njoftuar vdekjen e 70 prej tyre në sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës.
Izraeli ka zhvilluar një ofensivë vdekjeprurëse ushtarake në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë rreth 1.200 njerëz.
Që atëherë, të paktën 32.800 palestinezë janë vrarë dhe rreth 75.300 të tjerë janë plagosur në Rripin e Gazës së bllokuar në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave.
Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe së fundmi gjithashtu kërkoi nga Izraeli të marrë masa për të parandaluar urinë në Gaza.