Netanyahu diskuton me këshilltarët e Bidenit për armëpushimin me Hezbollahun

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu u takua me dy këshilltarët e presidentit amerikan Joe Biden për të diskutuar arritjen e një marrëveshjeje për përfundimin e konfliktit me Hezbollahun

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu u takua me dy këshilltarët e presidentit amerikan Joe Biden për të diskutuar arritjen e një marrëveshjeje për përfundimin e konfliktit me Hezbollahun, transmeton Anadolu.

Sipas mediave lokale, Netanyahu u takua në Kudsin Lindor me këshilltarin e lartë të Bidenit, Amos Hochstein dhe koordinatorin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Brett McGurk.

Në takim bëhet e ditur se u diskutua arritja e një marrëveshjeje për përfundimin e konfliktit mes Izraelit dhe Hezbollahut.

Gjithashtu në lajm thuhet se u diskutuan edhe përpjekjet për rifillimin e negociatave për shkëmbimin e pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit si dhe për çështjen e “Iranit”.

Ndërkohë nga Zyra për media e kryeministrisë izraelite nuk është bërë ende një deklaratë lidhur me takimin dhe përmbajtjen e tij. Ushtria izraelite njoftoi më 30 shtator se ka nisur sulme tokësore “të kufizuara dhe intensive kundër infrastrukturës së Hezbollahut” në jug të Libanit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu më 29 tetor u takua me ministra dhe zyrtarë të lartë ushtarakë për të diskutuar mënyrat për të gjetur zgjidhje diplomatike për konfliktin me Hezbollahun në Liban.

Një zyrtar i paidentifikuar izraelit duke folur për mediat vendase pretendon se sulmet tokësore të ushtrisë izraelite në Liban “janë drejt fundit”. Zyrtari në fjalë pretendon se ushtria izraelite mund t’u japë fund sulmeve tokësore në Liban “brenda 1-2 javësh”.

Kryeministri libanez, Najib Mikati në një deklaratë dje për televizionin lokal tha se mund të arrihet një armëpushim mes Izraelit dhe Hezbollahut në “ditët ose orët e ardhshme”.

Kategoritë
BotaLajme