Netanyahu falënderon Trump-in për sanksionet ndaj gjykatës në Hagë: “Ky urdhër mbron ushtarët tanë dhe tuajit”

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, reagoi ndaj vendosjes së sanksioneve nga Donald Trump ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë (ICC), duke përshëndetur këtë veprim të administratës së re amerikane.

Në një postim në rrjetet sociale, Netanyahu falënderoi Trump-in për nënshkrimin e këtij urdhri ekzekutiv.

“Faleminderit, president Trump, për urdhrin tuaj të guximshëm ekzekutiv në lidhje me ICC-në. Ky vendim do të mbrojë Amerikën dhe Izraelin nga një gjykatë e korruptuar, antiamerikane dhe antisemitike, që nuk ka as juridiksion as bazë për të ndërmarrë procedime ligjore kundër nesh,” tha Netanyahu.

Netanyahu përsëriti se gjykatësit e ICC-së kanë zhvilluar një fushatë kundër Izraelit.

“ICC ka zhvilluar një fushatë të pamëshirshme kundër Izraelit, si një përpjekje për të vepruar kundër Amerikës. Urdhri ekzekutiv i presidentit Trump mbron sovranitetin e të dyja vendeve dhe ushtarët e tyre të guximshëm. Faleminderit, president Trump,” tha kryeministri izraelit.

Siç u bë e ditur më herët nga Shtëpia e Bardhë, Trump ka vendosur sanksione ndaj kësaj gjykate, duke e akuzuar për procedura të paligjshme të drejtuara si kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ashtu edhe kundër aleatit të tyre, Izraelit.

Kategoritë
BotaLajme