“Nëse Hamasi nuk i kthen pengjet tanë deri në mesditën e të shtunës, armëpushimi do të ndërpritet dhe ushtria izraelite do t’i kthehet luftimeve intensive derisa Hamasi të mposhtet përfundimisht”, tha Netanyahu
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka kërcënuar se do t’i japë fund marrëveshjes së armëpushimit të Gazës nëse Hamasi nuk arrin t’i lirojë pengjet izraelite deri të shtunën në mesditë, transmeton Anadolu.
“Nëse Hamasi nuk i kthen pengjet tanë deri në mesditën e të shtunës, armëpushimi do të ndërpritet dhe ushtria izraelite do t’i kthehet luftimeve intensive derisa Hamasi të mposhtet përfundimisht”, tha Netanyahu në një video-deklaratë pas një takimi 4-orësh të kabinetit të sigurisë.
Kryeministri izraelit tha se ai udhëzoi ushtrinë “të mobilizojë forcat brenda dhe rreth Rripit të Gazës”.
Kërcënimi vjen një ditë pasi Hamasi tha se do të shtyjë lirimin e radhës të pengjeve në përgjigje të shkeljeve izraelite të marrëveshjes së armëpushimit.
Autoritetet lokale palestineze kanë renditur një sërë shkeljesh të marrëveshjes nga Izraeli, duke përfshirë të shtënat ndaj civilëve dhe mohimin e qasjes në materialet e ndihmës, duke përfshirë tendat për civilët e zhvendosur në Gaza.