Netanyahu loboi në BE për t’i bërë presion Egjiptit për të pranuar refugjatë nga Gaza

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është përpjekur të bindë liderët e Bashkimit Evropian që t’i bëjnë presion Egjiptit që të pranojë refugjatët nga Rripi i Gazës, sipas një raporti të ri nga Financial Times.

Ata që janë të njohur me diskutimet i thanë kësaj gazete se ideja u shfaq në takimet me zyrtarët evropianë javën e kaluar.

Ata thanë se propozimi ishte bërë nga disa vende, duke përfshirë Austrinë dhe Republikën Çeke, në bisedimet private që u zhvilluan gjatë një samiti të krerëve të BE të enjten dhe të premten.

Ju kujtojmë se Austria dhe Republika Çeke janë një nga vendet e pakta që votuan kundër rezolutës së OKB-së për vendosjen e armëpushimit humanitar në Gaza.

Megjithatë, fuqitë evropiane si Gjermania dhe Franca e hodhën poshtë propozimin si joreal, duke vënë në dukje rezistencën e zyrtarëve egjiptianë ndaj idesë së pranimit të refugjatëve nga Gaza, qoftë edhe përkohësisht.

Egjipti ka deklaruar vazhdimisht se palestinezët nuk duhet të largohen nga tokat e tyre stërgjyshore për të realizuar ëndrrën e tyre të kahershme për shtetësi.

Të dielën, Shtëpia e Bardhë tha se “sigurimi që palestinezët në Gaza të mos zhvendosen në Egjipt apo në ndonjë vend tjetër” ishte në axhendën e një bisede telefonike midis Presidentit të Shteteve të Bashkuara Joe Biden dhe homologut të tij egjiptian Abdel Fattah el-Sisi.

Kategoritë
BotaLajme