Netanyahu vlerëson planin e Trumpit për marrjen e kontrollit të Gazës si një “ide të shquar”

Në lidhje me ardhjen e trupave amerikane në Gaza, Netanyahu tha se Trump nuk po i referohej dërgimit të trupave amerikane për të luftuar Hamasin në Gaza, duke theksuar se ky është “angazhim i Izraeli”.

Pavarësisht një stuhie kritikash ndërkombëtare, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka vlerësuar planin e presidentit amerikan Donald Trump për marrjen e kontrollit të Gazës, duke e përshkruar si “të shquar” dhe “ide e parë e mirë”.

Duke folur për ‘Fox News’, një medium me vendosmëri pro-izraelite, Netanyahu shprehu mbështetje për planin e Trumpit, duke theksuar se ky plan do të mundësonte “të largohen njerëzit e Gazës që duan të largohen”.

“Dua të them, çfarë të keqe ka kjo… ata mund të largohen, pastaj mund të kthehen, ata mund të zhvendosen dhe të kthehen. Por ju duhet të rindërtoni Gazën”, tha Netanyahu.

Gaza është shkatërruar si pasojë e rreth 15 muajve të ofensivës së pamëshirshme izraelite, e cila gjithashtu ka marrë jetën e të paktën 47 mijë palestinezëve. Shumica e mediave kanë deklaruar se plani përbën detyrimin e palestinezëve që të largohen me forcë nga Gaza.

Të martën, Trump tha se palestinezët “nuk kanë alternativë” përveç se të largohen nga Gaza, duke shtuar se është një “grumbull i madh rrënojash” dhe se ata do të rivendosen derisa Gaza të jetë në pronësi të SHBA-së, e cila do të shndërrojë atë në diçka “madhështore”.

Për planin e kritikuar gjerësisht, Netanyahu tha se, “Kjo është ideja e parë e mirë që kam dëgjuar, është një ide e shquar dhe mendoj se duhet të ndiqet, të shqyrtohet dhe të realizohet”.

Më tej, Netanyahu tha se plani “do të krijojë një të ardhme ndryshe për të gjithë”. Ai nuk specifikoi se sa vite do të duhen për të rindërtuar Gazën ose kur njerëzit e saj mund të kthehen.

Ai gjithashtu pohoi se Trump nuk tha se SHBA-ja do të financojë planin, por se “shtetet fqinje, shtetet e pasura do ta bëjnë atë”. Por ai nuk specifikoi asnjë shtet që do ta bënte këtë.

Në lidhje me ardhjen e trupave amerikane në Gaza, Netanyahu tha se Trump nuk po i referohej dërgimit të trupave amerikane për të luftuar Hamasin në Gaza, duke theksuar se ky është “angazhim i Izraelit”.

“Kjo është puna jonë dhe ne jemi absolutisht të përkushtuar ndaj saj”, shtoi ai.

Në një konferencë për media së bashku me Netanyahun, Trump tha se “SHBA-ja do të marrë përsipër Rripin e Gazës”, pasi të rivendosë palestinezët diku tjetër.

Trump vazhdimisht ka sugjeruar se palestinezët në Gaza duhet të pranohen nga kombet arabe të rajonit si Egjipti dhe Jordania, një ide e refuzuar si nga vendet arabe ashtu edhe nga udhëheqësit palestinezë.

Propozimi është refuzuar në mbarë botën nga shumë vende në Lindjen e Mesme, Evropë dhe më gjerë, duke përfshirë Kinën, Türkiyen, Palestinën dhe Arabinë Saudite. Disa kanë deklaruar se plani përbën spastrim etnik.

Propozimi i Trumpit për të zhvendosur palestinezët e Gazës erdhi pasi një marrëveshje armëpushimi hyri në fuqi më 19 janar, duke ndalur luftën gjenocidale të Izraelit, e cila që nga 7 tetori i vitit 2023 ka vrarë të paktën 47 mijë palestinezë, ka plagosur mbi 111 mijë të tjerë, si dhe ka dëmtuar infrastrukturën publike të enklavës.

Kategoritë
BotaLajme