“Ne nuk presim për një kërcënim, ne e parashikojmë atë. Kudo, në çdo arenë, në çdo kohë. Unë premtova se do të ndryshojmë ekuilibrin e sigurisë, ekuilibrin e fuqisë në veri”, tha Netanyahu
Me nisjen e bombardimeve më të rënda në Liban që nga tetori i vitit të kaluar, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar se do të ndryshojë “ekuilibrin e fuqisë” me grupin Hezbollah, transmeton Anadolu.
“Ne nuk presim për një kërcënim, ne e parashikojmë atë. Kudo, në çdo arenë, në çdo kohë. Unë premtova se do të ndryshojmë ekuilibrin e sigurisë, ekuilibrin e fuqisë në veri”, tha Netanyahu.
Sot, ushtria izraelite goditi qindra objektiva në Liban, duke shënuar bombardimin më të rëndë që nga fillimi i armiqësive me Hezbollahun më 8 tetor të vitit 2023.
Autoritetet shëndetësore libaneze njoftuan se të paktën 274 njerëz u vranë, përfshirë 21 fëmijë, si dhe rreth 1.024 të tjerë u plagosën si pasojë e sulmeve izraelite që nga mëngjesi i sotëm. Autoritetet po ashtu njoftuan se si pasojë e sulmeve izraelite mijëra civilë u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre në Libanin jugor.
Netanyahu pretendoi se sulmet ajrore izraelite kanë shkatërruar “mijëra raketa që shënjestronin qytetet izraelite dhe qytetarët izraelitë”.
Tensionet midis Hezbollahut dhe Izraelit janë rritur pas një sulmi ajror vdekjeprurës të premten e kaluar në periferinë jugore të kryeqytetit Bejrut, që vrau të paktën 45 persona, përfshirë fëmijë dhe gra, si dhe plagosi dhjetëra të tjerë.
Hezbollahu konfirmoi se të paktën 16 anëtarë të tij, përfshirë udhëheqësin e lartë, Ibrahim Aqil dhe komandantin e lartë, Ahmed Wahbi, u vranë në sulmin izraelit.
Sulmi i të premtes erdhi dy ditë pasi të paktën 37 persona u vranë dhe mbi 3 mijë të tjerë u plagosën në dy valë shpërthimesh të njëkohshme të pajisjeve të komunikimit ‘pager’ anembanë Libanit. Derisa qeveria libaneze dhe Hezbollahu fajësojnë Izraelin për shpërthimet, Tel Avivi nuk e ka mohuar apo konfirmuar përfshirjen e tij.
Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në një luftë ndërkufitare që nga fillimi i luftës izraelite në Gaza, e cila ka vrarë të paktën 41.400 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor të vitit të kaluar.