Qeveria mbrëmë mori vendimin se shtetasit e Bosnjës dhe Hercegovinës nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të mund të udhëtojnë me letërnjoftim biometrik drejt Kosovës.
Kështu bëri të ditur kryeministri Albin Kurti përmes një postimi në Facebook, i cili shton se ky vendim ishte moti i paralajmëruar, ndërsa në nëntor u bënë dy vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor në Berlin, si pjesë e marrëveshjeve të Procesit të Berlinit.
Shefi i Qeverisë shton se Kosova është vendi i parë që ka ratifikuar këtë marrëveshje në Parlament.
“Bllokada nga entiteti i Republikës Srpska i ka privuar për shumë gjatë qytetarët e Bosnje dhe Hercegovinës dhe Republikës së Kosovës të drejtën e lëvizjes së lirë me letërnjoftime, në kohën kur i gjithë rajoni udhëton lirshëm drejt Bashkimit Evropian. Teksa ne po i japim fund pritjes së qytetarëve nga Bosnje dhe Hercegovina, mbetemi me shpresë se Bosnje dhe Hercegovina do të jetë në gjendje ta ratifikojë marrëveshjen sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që i gjithë rajoni të gëzojë lirinë e lëvizjes. Ne kemi besim se ky vendim do të rrisë lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës, do të shtojë mundësitë për bashkëpunim dhe do të nxisë shkëmbimet në arsim, kulturë, sport, ekonomi dhe fusha të tjera me interes të përbashkët”, ka shkruar Kurti në Facebook.