Nga 1 nëntori Policia e Kosovës nuk lëshon më vërtetime për të kaluarën kriminale

Policia e Kosovës nga data 1 nëntor 2024 nuk lëshon më vërtetime mbi të kaluarën kriminale, raporton gazeta online Reporteri.net.

Kjo u bë e ditur përmes një komunikate nga Policia, ku thuhet se Departamenti i Evidencës Qendrore Penale pranë Këshillit Gjyqësor të Kosovës, mbetet përgjegjës për t’i lëshuar këto vërtetime.

Policia e Kosovës, përmes kësaj komunikate zyrtare, njofton mediat dhe qytetarët se duke filluar nga data 01.11.2024, nuk do të lëshojë për palët kërkuese/qytetarët vërtetim për të kaluarën kriminale. Departamenti i Evidencës Qendrore Penale pranë Këshillit Gjyqësor të Kosovës mbetet përgjegjës për t’i lëshuar këto vërtetime, prandaj palët kërkuese/qytetarët mund të aplikojnë në gjykatat që mbulojnë territorin e tyre”, thuhet në njoftimin e Policisë

Po ashtu, thuhet se ndërprerja e lëshimit të vërtetimeve i referohet Ligjit Nr. 08/L-194 mbi Sistemin Qendror të Evidencës Penale, i cili sipas tyre, shfuqizon çdo dispozitë tjetër ligjore që përcakton nxjerrjen apo lëshimin e certifikatave që ndërlidhen me evidencën penale.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi