Nga 832 futbollistë në Katar, vetëm një i lindur në Kosovë

Kanë mbetur edhe pak ditë deri në fillim të Kampionatit Botëror ‘Katar 2022’.

Në këtë Kupë të Botës do të jenë prezent 32 Kombëtare me nga 26 futbollistë, ku në total në Katar do të jenë plot 832 futbollistë.

Por 28 Kombëtare pjesëmarrëse në Katar kanë në radhët e veta futbollistë që nuk kanë lindur në shtetet e tyre.

Maroku, Tunizia, Senegali, Katari, Uellsi, Australia, Kameruni, Gana, Kanada, Kroacia, Portugalia, Amerika, Serbia, Franca, Zvicra, Polonia, Spanja, Gjermania, Ekuadori, Meksika, Uruguai, Danimarka, Anglia, Irani, Holanda, Kosta Rika, Japonia dhe Belgjika janë Kombëtaret që në radhët e veta kanë futbollistë të lindur në tjera shtete.

Por është vetëm një futbollistë pjesëmarrës në Katar e që ka lindur në Kosovë.

 

 

Ai është ylli i Zvicrës, Xherdan Shaqiri i cili vjen nga fshati Zhegër, komuna e Gjilanit.

Shaqiri kishte lindur në Gjilan të Kosovës më 10 tetor të vitit 1991, derisa pas disa viteve kishte emigruar në Zvicër së bashku me familjen e tij.

Në Katar do të jetë edhe Granit Xhaka, por kapiteni i helvetikëve përkundër që ka prejardhje nga Kosova kishte lindur në Basel të Zvicrës.

Shqiptari tjetër që do të jetë pjesëmarrës në Botëror është Ardon Jashari, me prejardhje nga Kumanova, por që ka lindur dhe është rritur në Luzern të Zvicrës.

Më së shumti futbollistë në radhët e veta që kanë lindur në një shtet tjetër ka Maroku me plot 14 sosh, derisa pas tyre vijnë Tunizia e Senegali me nga 12, Katari e Uellsi me nga 10, Australia dhe Kameruni me nga nëntë, Gana me tetë ndërsa Kanada, Kroacia e Portugalia kanë nga shtatë.

Gjithsej janë 137 futbollistë nga 832 që kanë lindur në një shtet tjetër, por prezantojnë një tjetër shtet në këtë botërorë.

 

Kategoritë
Sport