Nga Gjilani, te Partizani e Laçi: 6 ekipe shqiptare luajnë në UECL sot

Conference League zbret në fushë shumë skuadra shqiptare ditën e sotme. Gjithçka nis në orën 16:00 me duelin mes Liepaja dhe Gjilanit. Takimi i parë në Kosovë ka përfunduar në barazim 1-1.

Një orë më pas, 17:00, Shkëndija e Tetovës do kërkojë të formalizojë kualifikimin, pasi sfidën e parë me Ararat Yerevan e ka fituar pastër 2-0. Ora 20:00 sjell dy ndeshje të tjera.

Partizani pret skuadrën e Saburtalo në “Air Albania”. “Demat” kanë fituar 1-0 në Gjeorgji dhe sigurisht duan kalimin në turin e dytë të Conference League, që është pranë në fakt.

Për Llapin nuk është një mision i lehtë, por ekipi nga Podujeva është karikuar maksimalisht për ndeshjen kundër Buducnost. Malazezët kanë fituar në Podgoricë 2-0.

Në Mal të Zi sot luan edhe Decic, që ka barazuar 1-1 kundër Dinano Minsk në Bjellorusi. Ky takim zhvillohet në orën 20:45.

Takimi i fundit zhvillohet në Podgoricë, mes Iskra dhe Laçit. Në “Elbasan Arena” ndeshja ka përfunduar 0-0 dhe kurbinasit sot do tentojnë të triumfojnë në transfertë dhe të kalojnë në turin e dytë të Conference League.

Kategoritë
Sport