Nga një muaj paraburgim gjashtë të dyshuarve për vrasjen e policit Muhamed Lika

Gjykata Themelore në Ferizaj sot pasdite ua caktoi nga një muaj paraburgim të arrestuarve dje Haki Bela, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka, Rilind Murati, Diamant Gashi dhe Vatan Çaka, të dyshuar për përfshirje në vrasjen e policit Muhamed Lika, raporton Ekonomia Online.

Haki Bela, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka, Rilind Murati, Diamant Gashi dhe Vatan Çaka, u paraqitën para gjykatës.

Avokati Musa Konxheli  tha se të tre të dyshuar për vrasjen e policit Muhamed Lika janë deklaruar të pafajshëm.

“Nuk ka asnjë grup e as organizim”, tha Kongjeli, ndërsa bëri të ditur se kanë kërkuar masën e arrestit shtëpiak për të dyshuarit. Sipas tij, kjo masë është e mjaftueshme.

Avokati Musa Kongjeli në një deklarim për media ka mohuar çdo përfshirje klientit të tij, Rilindit Murati, në vrasjen e policit, raporton Ekonomia Online.

Ai hodhi poshtë edhe pretendimet për ekzistencën e një grupi të organizuar që qëndron pas kësaj ngjarjeje.

Mbrojtja ka kërkuar masë më të butë sigurie për klientin, duke propozuar arrestin shtëpiak në vend të paraburgimit.

“Unë, si mbrojtës i Rilind Muratit, duke u bazuar në ato prova që deri tash i kemi, konsiderojmë që klienti im nuk është i përfshirë fare në këtë vepër. Klienti im kategorikisht e refuzon që në çfarëdo forme të jetë i përfshirë në këtë vepër penale. Ne po konsiderojmë se nuk ka pasur fare grup për organizimin e kësaj vrasjeje. Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm. Ne kërkuam masën e arrestit shtëpiak”, tha ai.

Njoftimi i Gjykatës:

“Ekziston dyshimi i bazuar, se më datë 01.04.2025 rreth orës 23:00 në një rrugë të Kaçanikut, përkatësisht në hyrje të një ndërtese, të pandehurit duke vepruar në bashkëkryerje, me dashje dhe përgatitje paraprake kanë planifikuar për ta privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin e policisë – rreshter M.L., me detyrë në Stacionin Policor në Kaçanik, në atë mënyrë që më pas i mituri, me dashje dhe përgatitje paraprake ka privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin e policisë – rreshter M.L., ku viktima pas përfundimit të orarit të punës në ora 22:53, rrugës për në banesën e tij, i njëjti ishte përcjellë në vazhdimësi nga madhorët deri te hyrja e banesës së tij, ku pasi që hynë në objektin e banesës ku ka jetuar, duke u ngjitur shkallëve, i mituri i shkon nga mbrapa  dhe pasi që viktima hynë në objektin banesor pas tij hyn edhe i mituri, ku me të takuar të ndjerin ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri.

Në vend ngjarje janë gjetur katër gëzhoja të kalibrit 9.19 mm dhe nga plafët e marra, viktima M.L., në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik nga ekipet mjekësore është konstatuar vdekja e tij, e cila ka ardhur si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit, pastaj i mituri pas kryerjes së vrasjes ik nga vendi i ngjarjes në drejtim të lokalit “D.”, ku bashkohet me të pandehurin R.M., i cili kishte qenë duke e pritur dhe së bashku largohen përmes rrugës “M.D.”, ku ishin duke vrapuar i mituri dhe i pandehuri, paraprakisht nga pamjet e kamerave vërehet i pandehuri H.B., i cili e përcjellë zyrtarin policor prej momentit të daljes nga stacioni duke i shkuar mbrapa  e pas kryerjes së veprës penale nga i mituri rreth 14 minuta mbrapa vije në afërsi të vendit të ngjarjes duke qëndruar një kohë dhe duke u larguar.

I pandehuri V.Ç., është parë në shoqëri të të pandehurve R.M. dhe të miturin ku të njëjtit para kryerjes së veprës penale vërehen duke vëzhguar vendin e ngjarjes. I pandehuri E.L., në bazë të video incizimeve është parë në shoqëri të të pandehurve ku së bashku me të pandehurin Sh.K., e përcjellin rreshterin M.L., nga daja nga Stacioni Policor, ku i pandehuri E.L., derisa ka qenë në veturën “Opel Astra” me të kaluar viktima del nga vetura pronë e të pandehurit Sh., dhe vazhdon me veturën “Golf II” në përcjellje të viktimës, ndërsa i pandehuri Sh., vazhdon me veturën “Opel Astra” duke përcjellë viktimën, i pandehuri D.G., përmes telefonit kontakton të pandehurin H.B. dhe i njëjti e strehon dhe i ofron ndihmë në ushqim dhe gjëra tjera të miturit”.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi