Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Đurić, u ka përcjellë anëtarëve të Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Beçiroviç dhe Željko Komshiç, se, pas pranimit të Albin Kurtit, kryeministrit të Kosovës, në të ardhmen të mos i drejtohen më Serbisë me asnjë pyetje në lidhje me mbështetjen për BiH dhe integritetin e saj territorial.
Đurić tha se vendimi i Beçiroviç-it dhe Komshiç-it për të pranuar Albin Kurtin dëmton “themelet e marrëdhënieve midis Serbisë dhe BiH-së dhe mund të prodhojë pasoja të pariparueshme për marrëdhëniet bilaterale”.
Ai theksoi se ky vendim është në kundërshtim me rregullimin e brendshëm të BiH-së, karakterin dhe natyrën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë midis Serbisë dhe BiH-së, dhe është thellësisht kundër parimeve të fqinjësisë së mirë dhe respektit të ndërsjellë midis dy vendeve, sipas deklaratës së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë.
“Ndryshe nga Serbia, e cila asnjëherë nuk e ka vënë në pikëpyetje integritetin territorial të BiH-së, as me fjalë as me vepra, Sarajeva zyrtare ka treguar se nuk e njeh tërësinë territoriale të fqinjit të saj më të afërt,” tha Đurić.
Kurti, i cili mbërriti mbrëmë në Sarajevë, u takua sot me Komshiç-in dhe Beçiroviç-in, dhe janë planifikuar takime me anëtarët e Këshillit të Ministrave, Qeverinë e Federatës së BiH-së, si dhe me përfaqësues të SDA-së dhe Partisë për BiH.