Ngacmimet online pritet të përfshihen në Kodin Penal të Kosovës

Në kohën kur teknologjia i lidh njerëzit si kurrë më parë, ajo i hap rrugë edhe një realiteti shqetësues: ngacmimit kibernetik – sidomos ndaj grave.

Me këtë term, Kombet e Bashkuara i referohen dërgimit, postimit ose shpërndarjes së qëllimshme të përmbajtjes negative, të dëmshme, të rreme ose të keqe për dikë tjetër.

Një 32-vjeçare, me të cilën bisedoi REL tregon se për një periudhë disamuajshe ka përjetuar ngacmime, kërcënime dhe fyerje online nga ish-bashkëshorti dhe familja e tij.
Pas raportimit të rastit në polici, thotë se situata u përshkallëzua edhe më shumë: ish-familjarët e saj, duke përdorur llogari të rreme në Facebook, TikTok dhe Instagram, shpërndanë imazhe dhe komente të dëmshme për të.

“Fjalët ishin shumë të rënda, nuk mund as t’i përmend… Me muaj të tërë kam qenë në gjendje të rëndë emocionale, të cilën e kam tejkaluar me ndihmën e psikologëve. Ofendimet online më kanë lënduar më shumë sesa ndarja nga ish-bashkëshorti”, thotë gruaja, identiteti i së cilës është i njohur për redaksinë e REL-it.

Ajo tregon se është divorcuar nga bashkëshorti pas më shumë se një dekade martesë, për shkak të dhunës së ushtruar ndaj saj.

Fushata e fyerjeve online thotë se nisi pas ndarjes, vazhdoi për disa muaj dhe u ndërpre para një viti e gjysmë.

Ajo nuk është në gjendje të thotë nëse autoritetet e rendit kanë ndikuar tek ish-bashkëshorti, por tani nuk do që të identifikohet, pikërisht nga frika se mund të bëhet sërish shënjestër e fyerjeve dhe ofendimeve.

“Situata, atëkohë, më ka bërë të izolohem brenda mureve të shtëpisë, për shkak të paragjykimeve nga rrethi dhe qytetarët tjerë”, thotë 32-vjeçarja, e cila sot punon si mirëmbajtëse në një kompani private.

Me këtë përvojë, ajo nuk është e vetmja.

Një studim i publikuar në dhjetor të vitit 2023 nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Gratë, UN Women, nxori në pah se mbi 43% e grave në Kosovë kanë përjetuar një formë dhune përmes teknologjisë, gjatë jetës së tyre.

Sipas studimit, ky lloj dhune bëhet kryesisht nga persona të panjohur ose persona të njohur vetëm në internet, pasuar nga partnerët, anëtarët e familjes, kolegët etj.

Ndërsa grupi i parë është i prirë të kryejë dhunë në formën e hakimit të llogarive të grave dhe shpërndarjes së përmbajtjeve ose mesazheve fyese, grupi i dytë ka më shumë gjasa të bëjë kërcënime ose akte kontrolluese.

Përkundër shpërfaqjes së vazhdueshme të problemit, Policia e Kosovës nuk i klasifikon rastet e raportuara të ngacmimeve sipas formës së kryerjes – përmes teknologjisë apo fizikisht.

Sipas të dhënave që siguroi Radio Evropa e Lirë nga ky institucion, duket se trendi është në rritje, pasi në periudhën janar-gusht të këtij viti u raportuan 407 raste ngacmimi, krahasuar me 558 raste gjatë gjithë vitit të kaluar dhe 642 raste në vitin 2022.

Asnjëra shifër nuk specifikon se sa është numri i grave apo i burrave viktima.

Në Rrjetin e Grave të Kosovës thonë se përdorimi në rritje i internetit dhe teknologjisë përbën një kërcënim serioz për gratë dhe vajzat.

Për rrjedhojë, ky rrjet po avokon që përkufizimet specifike të ngacmimit apo dhunës kibernetike të përfshihen në ndryshimet në Kodin Penal të Kosovës.

Më konkretisht, ai kërkon që dhuna kibernetike e bazuar në gjini, të përfshijë çdo veprim që shënjestron një individ për shkak të gjinisë së tij përmes teknologjisë – qoftë mediave sociale, emaileve apo platformave tjera digjitale.

Për këtë qëllim, Rrjeti i Grave të Kosovës ka hartuar edhe një propozim në muajin gusht.

Adelina Berisha, nga ky rrjet, thotë se ideja është që Kosova t’i harmonizojë strategjitë e saj me ato të Bashkimit Evropian, ku mëton të anëtarësohet.

Këtu, ajo përmend Direktivën – që ka votuar BE-ja në muajin prill – për Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, si hap vendimtar drejt garantimit të sigurisë dhe mbrojtjes së grave dhe vajzave në të gjitha sferat e jetës, përfshirë edhe atë online.

Direktiva bën thirrje për ligje më të forta kundër dhunës kibernetike, për ndihmë më të mirë për viktimat dhe për hapa për të parandaluar përdhunimin.

“Ne duam që Kosova ta harmonizojë legjislacionin me praktikat më të mira të BE-së, duke e përfshirë edhe dhunën kibernetike si vepër penale”, thotë Berisha për Radion Evropa e Lirë.

Sipas saj, kjo vepër penale do t’i shtohej si nen Kapitullit XXI të Kodit Penal të Kosovës, ku përshkruhen veprat penale kundër martesës dhe familjes.

Aty do të përfshiheshin ngacmimet, shantazhet seksuale kibernetike, zbulimi i informacioneve personale, publikimi i materialeve intime pa pëlqim dhe forma të tjera të abuzimit që bëhen në platformat online.

“Çdo propozim të cilin e kemi bërë, e kemi harmonizuar me veprat penale që janë të dënueshme në Kodin Penal aktual. Për shembull, nëse e kemi ngacmimin seksual në sferën fizike si vepër të dënueshme penale nga dy deri në pesë vjet, atëherë njësoj do të duhej të ishte edhe në hapësirën kibernetike”, thotë Berisha.

“Ndërkaq, për rastet që përfshijnë materiale me përmbajtje të shfrytëzimit dhe keqpërdorimit seksual të fëmijëve, dënimi do të duhej të arrinte deri në dhjetë vjet burgim”, sipas saj.

Rrjeti i Grave të Kosovës ka anëtare të përfshira në Grupin Punues për ndryshimet në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, në të cilat është duke punuar Ministria e Drejtësisë.

Pa dhënë shumë detaje, Nazlie Bala, këshilltare në këtë ministri, shpreh bindjen se dhuna kibernetike do të përfshihet në këtë dokument.

“Dhuna kibernetike është një fenomen global dhe ne jemi të përkushtuar për ta adresuar këtë çështje edhe në Kosovë”, thotë Bala për Radion Evropa e Lirë.

Se kur do të miratohen ndryshimet në Kod, nuk është ende e qartë.

Sipas Direktivës së BE-së, dhuna kibernetike prek më shumë gratë dhe vajzat dhe, në mënyrë specifike, “gratë politikane, gazetare dhe mbrojtëse të të drejtave të njeriut”.

Gratë dhe gjuha e urrejtjes në rrjete sociale

Sipas një hulumtimi të organizatës Demokraci për Zhvillim (D4D), gratë përballen shumë më shpesh sesa burrat me gjuhë të urrejtjes në komente në rrjete sociale. Shumica e këtyre komenteve, gati 90 për qind, vijnë nga burrat.

Shembull i kësaj është edhe Ardiana Thaçi, gazetare në Televizionin privat Klan Kosova.

Si pasojë e punës së saj, ajo thotë se, më herët këtë vit, ka qenë cak i ngacmimeve seksuale dhe formave të tjera deri te shpërndarja e numrit të telefonit nëpër rrjetet sociale.

“Në platformën online X, në Instagram dhe në Telegram është shpërndarë numri privat i telefonit, bashkë me fotografi dhe me mbishkrimin ‘Mund ta thirrni këtë’”, tregon Thaçi për Radion Evropa e Lirë.

“Në këto platforma ka grupe burrash – në disa raste janë mbi 100 mijë anëtarë – dhe qindra prej tyre më kanë telefonuar”, shton ajo.

Disa pjesëtarë të grupit që dyshohej se ishte përgjegjës për shpërndarjen e fotografive dhe të numrave të personave të ndryshëm, përfshirë edhe të Thaçit, u arrestuan në fund të majit nga Policia e Kosovës.

ociologë dhe aktivistë të të drejtave të grave thonë se dhuna me bazë gjinore ndaj vajzave dhe grave i ka rrënjët kryesisht në traditat dhe zakonet patriarkale.

Sipas Bibliotekës Kombëtare të Mjekësisë në SHBA, me të cilën operon Qeveria federale amerikane, efektet e mundshme negative të ngacmimit kibernetik mund të jenë fizike, psikologjike ose në performancën akademike.

Nga raporti i UN Women del se dhuna kibernetike është e pranishme gjetiu në botë, përfshirë edhe në vendet fqinje të Kosovës. Në Shqipëri, për shembull, 41 për qind e grave aktive në internet kanë përjetuar gjatë jetës së tyre një nga format e dhunës përmes teknologjisë.

Kodi Penal në Shqipëri, ngjashëm sikurse në Kosovë, nuk ka ndonjë nen të veçantë për ngacmimin në rrjetet sociale./REL

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi