Ngrihet akuzë kundër pronarit të “Besa Trans” për tragjedinë në Bullgari

Hetimet e Prokurorisë së Shkupit kanë zbuluar se autobusi i cili u përfshi nga flakët nëntorin e kaluar në Bullgari, 20 herë e kishte kaluar kufirin shtetëror të Maqedonisë së Veriut me dokumente false.

Tragjedia në Bullgari, ku humbën jetën 45 shtetas të Maqedonisë së Veriut, gjatë ekskursionit në Istanbul me agjencinë turistike “Besa Trans” ka hyrë në procedurë gjyqësore. Prokuroria e Shkupit sot Gjykatës Penale të Shkupit i ka dorëzuar propozimakuzë kundër një personi fizik dhe një personi juridik për vepër penale të vazhdueshme “falsifikim i dokumenteve”.

“I akuzuari 41-vjeçar, si menaxher i personit juridik nga Rahçeja, duke përfituar nga e njëjta marrëdhënie e përhershme, të njëjtat raste dhe rrethana të ngjashme, nëpërmjet shoferëve që drejtonin autobusin në pronësi të kompanisë, ka kryer disa veprime të lidhura me kohën dhe e ka përdorur si një dokument publik të vërtetë fals – Certifikatë nga licensa për kryerje të transportit publik në trafikun rrugor ndërkombëtar. Një licensë e tillë për autobusin në fjalë nuk është lëshuar asnjëherë nga Ministria e Transportit dhe e Lidhjeve, ndërsa menaxheri dokumentin fals të përgatitur ua ka dhënë shoferëve që kanë vozitur autobusin dhe me të kanë kaluar kufirin shtetëror”, thotë Prokuroria e Shkupit.
Hetimet për këtë rast tragjik kanë vërtetuar se për një periudhë 10-mujore autobusi me dokumente të falsifikuara e ka kaluar kufirin shtetëror më shumë se 20 herë.

Procesi gjyqësor për tragjedinë në Bullgari pritet të caktohet pasi propozimakuza e Prokurorisë së Shkupit të marrë dritë jeshile nga Gjykata Penale e Shkupit.

Më 23 nëntor të vitit të kaluar në afërsi të Sofjes në Bullgari, një autobus me targa të Shkupit u përfshi nga flakët, me çka humbën jetën shumë gra dhe fëmijë. Pjesa dërmuese e viktimave ishin banorë të Shkupit dhe të rrethinës.

Kategoritë
LajmeRajoni