Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU) në një vendim të nxjerrë në ditën e fundit të viti 2024, e që mbanë nënshkrimin e drejtoreshës Hajrie Morina, ka vendosur që për vitin 2025 të ketë një caktim të veçantë të tarifës së ujit për KRU “Prishtina”, e që do të shkojë nga 4 % në 4.25, apo një rritje prej 0.25 %, shkruan Gazeta Express.
Për këtë vendim ARRU s’ka bërë kurrfarë njoftimi publik, në mënyrë që qytetarët të cilët faturohen nga KRU Prishtina të jenë të informuar që përgjatë vitit 2025 do të paguajnë ujin pak më shtrenjtë.
Nga ARRU në një përgjigje për Gazetën Express kanë thënë se diskutimet publike organizohen para aprovmit të Biznes Planit Rregullator për procesin tarifor 3 vjeçar, dhe kanë shtuar se rritja e tarifave në këtë rast është bërë me procedurë të jashtëzakonshme dhe vetëm për të t’ia përshtatur normës së inflacionit.
“Rregullorja në fuqi për përcaktimin e tarifave për shërbimet e ujit, Neni 21, pika 1 specifikon: Autoriteti organizon diskutime me publikun pas dorëzimit të aplikacionit tarifor nga ofruesi i shërbimeve tek Autoriteti dhe para aprovimit të Biznes Planit Rregullator për procesin tarifor tre vjeçar. Procesi tarifor për vitin 2025 ka qenë i jashtëzakonshëm dhe 1 vjeçar. Rritja e tarifave e potencuar nga ana juaj është bërë vetëm sa i perket përshtatjes inflatore të tarifave për shërbimet e ujit”, kanë thënë nga ARRU
Në arsyetimin për këtë rritje e çmimit të ujit, thuhet se kjo do të ndihmojë kompaninë rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” që brenda një viti të ketë 180 mijë euro më shumë të hyra.
Në këtë vendim të këtij Autoriteti Rregullator, drejtuesen e të cilit e kanë votuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje në vitin 2021, jepen arsyetime për këtë rritje të tarifës prej 0.25.
Arsyetimet që jepen në këtë vendim janë hiq më pak se frikësuese. Përveç që konstatohet që ka rritje të normave të interesit prej vitit 2021, thuhet se ka rritje të inflacionit dhe konstatohet se gjendja e të bërit biznes në Kosovës është kthyer mbrapa në kushte të ngjashme sikur para krizës financiare të vitit 2008.
“ARRU është e vetëdijshme se nga viti 2021 kur u ndërmor shqyrtimi i fundit tarifor, (2022-2024), normat e interesit kanë pasur rritje të theksuar, njëjtë sikur që është rritur edhe inflacioni, përderisa mjedisi i të bërit biznes është kthyer mbrapa në kushte të ngjashme si para krizës financiare të vitit 2008”, thuhet në këtë vendim të ARRU-së./