Nicolas Sarkozy vendoset nën mbikëqyrje me pranga elektronike

Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy, i cili u dënua për korrupsion në rastin e përgjimit telefonik, është vendosur nën mbikëqyrje me pranga elektronike. Prokuroria e Parisit njoftoi se gjatë orëve të mesditës Sarkozy-t iu vendosën prangat elektronike për ekzekutimin e dënimit të tij.

Sipas këtij vendimi, Sarkozy mund të dalë nga shtëpia gjatë orëve 08:00-20:00 si pjesë e dënimit të arrestit shtëpiak.

Gjithashtu, për shkak të një tjetër procesi gjyqësor ku është i përfshirë, ai mund të largohet nga shtëpia të hënën, të mërkurën dhe të enjten nga ora 08:00 deri në 21:30.

PROCESI

Në maj të vitit 2023, Sarkozy u dënua me tre vite burg në rastin e përgjimit, dy prej të cilave me kusht, dhe një vit burgim në formë arresti shtëpiak me pranga elektronike. Gjithashtu, atij iu ndalua e drejta për të kandiduar për poste publike për tre vite.

Më 18 dhjetor 2024, Gjykata e Lartë hodhi poshtë apelimin e Sarkozy-t ndaj vendimit të mëparshëm dhe konfirmoi se ai do të kryejë një vit dënim në arrest shtëpiak me pranga elektronike dhe do të jetë i ndaluar të kandidojë për poste publike për tre vite.

Në vitin 2014, Sarkozy u akuzua për trafik ndikimi dhe shkelje të parimit të konfidencialitetit të gjykatës në një tjetër proces gjyqësor. Ai akuzohej se kishte ofruar një pozicion të lartë në Monako për gjykatësin Gilbert Azibert në këmbim të aksesit në dokumentet e një hetimi lidhur me skandalin e L’Oreal-it.

Në bisedat e regjistruara me avokatin e tij, Thierry Herzog, u zbulua se Sarkozy kishte marrë informacion të klasifikuar nga policia dhe prokuroria në lidhje me hetimin e L’Oreal-it.

Kategoritë
BotaLajme