Nigeri, rritet në 7 numri i të vdekurve nga sulmi ndaj punonjësve të ambasadës amerikane

Shefi i Policisë së Shtetit Anambra Echeng Echeng tha se numri i personave që humbën jetën në sulmin që kishte në shënjestër punonjësit e ambasadës amerikane në rajonin Ogbaru më 16 maj është rritur në 7

Numri i të vdekurve në sulmin e armatosur ndaj stafit të ambasadës amerikane në shtetin Anambra në Nigerinë juglindore është rritur në 7, transmeton Anadolu.

Shefi i Policisë së Shtetit Anambra Echeng Echeng tha në një deklaratë për gazetarët se numri i personave që humbën jetën në sulmin që kishte në shënjestër punonjësit e ambasadës amerikane në rajonin Ogbaru më 16 maj është rritur në 7.

Echeng deklaroi se dy persona janë ende të zhdukur.

Duke thënë se pas sulmit është kryer një operacion kundër organizatës terroriste Popujt Indigjenë të Biafras (IPOB), Echeng tha se janë arrestuar dy anëtarë të këtij grupi.

Raportimet fillestare thoshin që dy punonjës vendas të ambasadës amerikane dhe dy policë u vranë në sulmin në rajonin Ogbaru ndaj stafit të misionit diplomatik amerikan, që kishte shkuar në Anambra për aktivitete të ndihmës humanitare.

Presidenti Muhammadu Buhari dënoi sulmin dhe premtoi se autorët do të sillen para drejtësisë.

Megjithëse askush nuk e ka marrë ende përsipër sulmin, sulme të tilla organizohen herë pas here nga IPOB.

Miliona njerëz vdiqën në luftën civile që shpërtheu në vitin 1967, kur populli i Biafras u ngrit për të kërkuar krijimin e një shteti të pavarur në jug të Nigerisë.

Republika e Biafras, e cila u krijua në juglindje të vendit në vitin 1967, u kthye nën sovranitetin e Nigerisë në fund të luftës civile.

Kategoritë
BotaLajme