Nipi i Sami Lushtakut pronar i kompanisë që e përmendi Kurti, thotë se Kryeministri e ka “politike”

Kryeministri Albin Kurti përmendi dy kompani, që i bën përgjegjëse për dështimin e sigurimit të veturës së Musa Vitisë në ShSKUK-së, e cila iu dogj më 7 tetor. Një nga kompanitë është pronë e Milaim Lushtakut. Ai thotë për Gazetën Express se Kurti e përmendi firmën e tij “për arsye politike”.

Kryeministri Kurti ka përmendur me emër kompanitë e kontraktuara që, sipas tij, kanë dështuar në kryerjen e detyrave të tyre, në rastin e djegies së veturës së Musa Vitisë, Drejtor i Njësitit për Auditim të Brendshëm në ShSKUK. Një nga kompanitë është “Security Code”, ku bashkëpronar është Milazim Lushtaku.

Milazim Lushtaku, që është nipi i zyrtarit të lartë të PDK-së, Sami Lushtaku, ka thënë sot se përmendja e kompanisë së tij nga Kryeministri ka shkas “politikën”, e jo punën e kompanisë.

“Përmendja e Kurtit, ma shumë është nga ana politike, se për anën profesionale”, ka thënë Lushtaku.

Kryeministri Kurti tha se “Security Code” ka dështuar në sigurimin fizik të veturës. Lushtaku beson se kompania e tij i ka përmbushur detyrat e saj dhe tani është në dorën e Policisë që të zbulojë rastin.

“Sa i përkët kompanisë si sigurim aty, na i kemi përgjigj kontratës..Ne jemi në rregull, tash merret policia”, thotë bashkëpronari i kompanisë së sigurimit.

Kryeministri Kurti shkroi sot rreth rastit të djegies së veturës së Drejtorit të Njësitit për Auditim në ShSKUK, duke lënë përgjegjëse dy kompanitë.

“Dy kompanitë, “Security Code”, përgjegjëse për sigurimin fizik dhe “Quantic”, përgjegjëse për mbikëqyrjen e kamerave kanë dështuar në kryerjen e punës së tyre. E para, sepse për herë të dytë nuk ka arritur të ofroj sigurinë e veturës së z. Vitija, kurse tjetra edhe pas dy jave nuk ka arritur t’i rikthej në funksion kamerat e sigurisë të cilat janë të dëmtuara nga “vetëtima””, shkroi Kurti.

Në fund, Kurti shkroi se “të korruptuarit dhe kriminelët zjarrvënës e kanë vendin në burg, e jo jashtë tij ku lirinë e përdorin si mundësi për të përsëritur krimin”. /Express/

Kategoritë
LajmeVendi