Nis ceremonia e varrosjes së dy të rinjve që u vranë në Klinë, shokët veshin bluze me fotografitë e tyre

Albison dhe Rexhep Shlivova, të cilët u vranë ditën e mërkurë me armë zjarri në një lokal në qendër të Klinës janë varrosur sot.

Ceremona e varrimit tashmë ka nisur dhe qindra pjesëmarrës po marrin pjesë, derisa një grup djemsh të rinj kanë veshur bluza me fotografitë e viktimave që humbën jetën para dy netësh nga plumbat që morën nga dorasi Jon Hoti.

Pasditen e së mërkurës, qyteti i Klinës është tronditur nga një ngjarje e rëndë. Dy të rinj mbetën të vrarë pasi u gjuajtën me armë zjarri nga një person tjetër.

Autori është arrestuar.

Rexhep dhe Albison Shlivova nga fshati Jashanicë e Klinës kanë humbur jetën.

I dyshuari për këtë vrasje, menjëherë u raportua se është Jon Hoti, djali i ish-kandidatit të LDK-së për kryetar të Klinës, Besim Hotit.

Ai është arrestuar nga Policia.

Fillimisht u raportua se nga të shtënat më armë një person ka mbetur i vdekur dhe një i një tjetër i plagosur, i cili ishte dërguar në emergjencën e Spitalit të Pejës.

“Rreth ores 17:15 policia është njoftuar për të shtëna me armë zjarri në sheshin “Mujë Krasniqi” në një lokal sipas informatave të para një person është pa shenja jete vdekjen e ka konstatuar mjeku kujdestar, ndërsa një person tjetër është dërguar në emergjencë”, kishte thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Por, personi që mbeti i plagosur, nuk kishte arritur t’iu mbijetonte plagëve të marra nga arma e zjarrit dhe për pasojë kishte ndërruar jetë në emergjencën e Spitalit të Pejës.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, ekipet e emergjencës dhe po ashtu personat kompentent nga Prokuroria Themelore e Pejës.

Ndërkaq, pak minuta më vonë në vendin e ngjarjes ka arritur edhe ekipi nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Në lidhje me rastin është deklaruar edhe prokurorja Sahide Gashi.

“Rast tragjik që ka marrë jetën e dy personave të ri,  jemi në vazhdimësi të mbledhjes së provave, ekzaminimit të vendit të ngjarjes. Trupat e pajetë është urdhëru që të dërgohen për autopsi në IML në Prishtinë. I dyshuari edhe ai i moshës së re është arritur të arrestohet falë punës së shpejtë të policisë”, ka thënë ajo nga vendi i ngjarjes.

Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar për vrasjen që ndodhi në qendër të atij qyteti, duke thënë se ky lajm ka qenë i papritur dhe i kobshëm.

Elezaj ka shprehur ngushëllime për familjen e dy personave që mbeten të vrarë mbrëmë.

“Me dhimbje e pikëllim të madh kam marrë lajmin për rastin e sotëm, ku mbetën të vdekur Rexhep dhe Albison Shlivova nga fshati Jashanicë”.

“Ky lajm i papritur e i kobshëm tronditi thellë jo vetëm familjen e dy të ndjerëve, por na preku thellë të gjithëve. Në emrin tim dhe të komunës së Klinës i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Shlivova, miqve dhe të gjithë atyre që i kanë njohur Rexhepin dhe Albisonin”, thuhet tutje në shkrimin e Elezajt.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi