Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një operacion të gjerë kundër emigracionit të paligjshëm, duke arrestuar 538 emigrantë dhe deportuar qindra të tjerë, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Ky operacion masiv vjen vetëm disa ditë pasi Donald Trump filloi mandatin e tij të dytë presidencial, duke theksuar premtimet e tij për të përforcuar kufijtë dhe për të luftuar emigracionin e paligjshëm.Sipas deklaratës së Shtëpisë së Bardhë, presidenti Trump pritet të vizitojë Karolinën e Veriut dhe Kaliforninë – dy shtete të prekura nga katastrofat natyrore – për të inspektuar dëmet dhe për të takuar banorët lokalë. Këto shtete kanë qenë shpesh në qendër të debateve të nxehta politike, duke reflektuar polarizimin e thellë mes republikanëve dhe demokratëve
“Administrata e Trump-it ka arrestuar 538 emigrantë të paligjshëm kriminelë dhe ka deportuar qindra të tjerë me aeroplanë ushtarakë,” shkroi në platformën X zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt. Ajo shtoi se ky është “operacioni më i madh i deportimit masiv në histori”, duke theksuar se presidenti ka mbajtur premtimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore.
Operacioni është pjesë e një sërë masash të ashpra që presidenti Trump ka marrë që nga dita e parë e mandatit të tij të dytë. Të hënën, ai nënshkroi një sërë urdhrash ekzekutivë për të ndalur fluksin e emigrantëve të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara, duke shpallur një “gjendje të jashtëzakonshme” në kufirin jugor me Meksikën dhe duke angazhuar trupa ushtarake për të mbështetur zbatimin e ligjit. Trump u zotua për dëbimin e menjëhershëm të “të huajve kriminelë”, duke e cilësuar këtë masë si të domosdoshme për të mbrojtur sigurinë kombëtare.
Në një tjetër zhvillim, kryetari i bashkisë së Newark-ut, Ras J. Baraka, kritikoi operacionin, duke pretenduar se “zyrtarët e emigracionit bastisën një institucion lokal, arrestuan banorë dhe qytetarë pa paraqitur urdhër.” Kjo ka ngjallur shqetësime për shkeljen e të drejtave civile dhe procedurave ligjore, veçanërisht në komunitetet me një përqindje të lartë emigrantësh.
Në ditën e inaugurimit të Trump-it, Senati amerikan, i dominuar nga republikanët, miratoi një projektligj që kërkon nga agjencitë federale të arrestojnë emigrantët e paligjshëm të dyshuar për disa vepra penale specifike. Ky projektligj është pjesë e një strategjie më të gjerë për të përshpejtuar proceset e arrestimit dhe deportimit, duke shtrënguar më tej politikat e emigracionit.