Nisin hetimet për dokumentet në banesën e Pence, Shtëpia e Bardhë hesht

Rreth 300 dokumente të klasifikuara janë gjetur në banesën e ish-zëvendës presidentit amerikan Mike Pence, në Indiana.

Avokati i tij, Greg Jacob ka deklaruar se Pence angazhoi një këshilltar të jashtëm me eksperiencë në menaxhimin e dokumenteve sekrete, për të mbikëqyrur ato që kishte mbledhur në shtëpinë e tij, pas zbulimit të rasteve të presidentit Joe Biden dhe ish-presidentit Donald Trump.

Shtëpia e Bardhë ndërkohë ka refuzuar ta komentojë ngjarjen.

“Nuk do të komentoj një hetim penal apo çfarëdo hetimi tjetër. Sikurse dhe ju e dini, Departamenti i Drejtësisë është i pavarur dhe ne nuk do të ndërhyjmë politikisht. Ne kemi qenë shumë të qartë për këtë. Presidenti ka qenë shumë i qartë që gjatë fushatës së tij elektorale”, tha Karine Jean Pierre, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.

Bëhet fjalë për zbulimin e radhës të informacioneve konfidenciale në rezidencat private të kreut dhe ish-krerëve të shtetit

Departamenti i Drejtësisë po heton si rastin e dokumenteve të gjetura në rezidencën e Joe Biden në Delauer dhe në ish-zyrën e tij në Uashington, ashtu dhe atë të zbulimit në resortin e Donald Trump në Florida. Të dy ata mohojnë shkeljet.

Kategoritë
BotaLajme