Një ekip i NATO-s mbërrin në Shqipëri për të asistuar pas sulmeve kibernetike

Delegacioni i kryesuar nga zv.asistenti i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për sfidat dhe zhvillim të sigurt, James Appathurai, është takuar me ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi, ku më pas kanë dhënë një deklaratë të përbashkët

Një ekip i NATO-s ka mbërritur në Shqipëri për të asistuar Qeverinë e Shqipërisë në nivel politik dhe teknik pas sulmeve kibernetike, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë thuhet se delegacioni i kryesuar nga zv.asistenti i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për sfidat dhe zhvillim të sigurt, James Appathurai, është takuar me ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi, ku më pas kanë dhënë një deklaratë të përbashkët.

“Ky ekip vjen në vendin tonë për të dhënë asistencë në lidhje me çështjet kibernetike, njohje me situatën aktuale, si dhe nevojat dhe mundësitë për adresimin e këtyre çështjeve në vazhdim. Pas sulmeve kibernetike ndaj sistemeve dhe infrastrukturës së teknologjive të informacionit të shtetit shqiptar tashmë të identifikuara për nga origjina, i menjëhershëm ka qenë reagimi dhe përgjigja e strukturave të specializuara të vendit në bashkëpunim të ngushtë me vendet aleate”, është shprehur Peleshi.

Ministri Pleshti ka deklaruar se sistemet e sigurisë dhe mbrojtjes në Ministrinë e Mbrojtjes kanë qenë të paprekura nga sulmi. “Vizita e ekipit të sotëm është një dëshmi solidariteti e mbështetjes, e reagimit të menjëhershëm të Aleancës”, ka deklaruar ministri Peleshi.

Appathurai u shpreh se në këtë rrugëtim Shqipëria nuk është e vetme, sepse sipas tij NATO e mbështet.

“Të gjitha vendet e NATO-s e njohin sulmin që i është bërë Shqipërisë dhe sigurisht e mbështesin atë në këtë drejtim. Ky është dhe mesazhi që Sekretari i Përgjithshëm i dha kryeministrit Rama në takimin e kaluar. Sigurisht doja të theksoja dhe përpjekjet e shumta që ka bërë shteti shqiptar. Sigurisht ndihma ka ardhur nga NATO, ka ardhur në nivel teknik nga vende të ndryshme të NATO-s, por edhe në nivelin individual nga struktura të ndryshme”, ka deklaruar Appathurai.

Ekipi i NATO-s do të takohet edhe me përfaqësues të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve të tjera.

– Sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë

Në korrik të këtij viti, sipas autoriteteve shqiptare, ndaj Shqipërisë është kryer një sulm masiv kibernetik, ku pas evidentimit të sulmit në fjalë, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit e Shqipërisë mbylli përkohësisht aksesin e shërbimeve publike online dhe të disa uebfaqeve qeveritare, për t’i rikthyer përsëri në funksion.

Sipas institucioneve të Shqipërisë, detektimi dhe përgjigja e shpejtë ndaj këtyre sulmeve bëri që sistemet qeveritare të dalin të paprekura.

Në lidhje me këtë sulm kibernetik, më 7 shtator Shqipëria vendosi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin, si kundërpërgjigje “ndaj sulmit kibernetik ndaj infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Shqipërisë”.

Në lidhje me këtë vendim, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se “hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit”.

Ndërkohë, më 10 shtator autoritetet në Shqipëri konfirmuan se një tjetër sulm kibernetik nga Irani është kryer ndaj Shqipërisë, konkretisht ndaj Sistemit të Menaxhimit Total të Informacionit (TIMS), sistem që verifikon dhe administron hyrje-daljet në pikat kufitare të Shqipërisë.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreRajoni