Një francez u gjobit me 200 euro për telefonatë me altoparlant: “Do të ishte njësoj sikur të kishte lëshuar muzikë me zë të lartë”

Një francez u gjobit së fundmi me 200 euro për shkak se po fliste nëpërmjet altoparlantit të telefonit celular ndërsa ndodhej në një stacion treni.

Burri, i identifikuar si David, i tha CNN BFMTV-së se incidenti ndodhi të dielën, ndërsa po priste trenin në stacionin e Nantës, në perëndim të vendit.

Më konkretisht, ai po fliste me motrën e tij përmes altoparlantit të telefonit kur ndërhyri një zyrtar i kompanisë shtetërore franceze të hekurudhave, SNCF.

“Sigurimi i SNCF më tha se do të gjobitesha me 150 euro nëse nuk e ndalja altoparlantin,” tha ai.

Në fillim mendoi se ishte një shaka.

“Mendoj se ai person u ndje i ofenduar. Nxori një bllok shënimesh dhe më gjobiti,” shtoi ai.

Në këtë rast, rezultoi se gjoba ishte edhe më e lartë, duke arritur në 200 euro, sepse ai nuk e pagoi menjëherë.

SNCF konfirmoi për gazetën La Parisien se është vendosur gjoba, por dha një version disi të ndryshëm.

Sipas kompanisë hekurudhore, burri ka zhvilluar telefonatën në dhomën e pritjes dhe ka refuzuar të ulë volumin pavarësisht paralajmërimeve.

Ata sqaruan se bëhet fjalë për një shkelje të Ligjit të Trafikut, sipas të cilit “ndalohet që çdo person të përdorë pa autorizim pajisje ose instrumente zanore, apo të shqetësojë qetësinë e të tjerëve me zhurmë ose ndërhyrje në mjediset dhe automjetet që përdoren për transport publik të pasagjerëve ose mallrave.”

“Po të kishte lëshuar muzikë me zë të lartë, do të ishte e njëjta gjë,” shpjegon kompania hekurudhore.

Kategoritë
BotaLajme