Një gjyqtar federal amerikan miratoi planin e Trumpit për shpërbërjen e USAID-it: Stafi kthehet në shtëpi

Gjyqtari federal Carl Nichols dje mori një vendim që hapi rrugën për një nga hapat e fundit të administratës së presidentit Donald Trump në shpërbërjen e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Ky vendim i mundëson administratës së presidentit të Shteteve të Bashkuara të fillojë tërheqjen e mijëra punonjësve të USAID-it brenda vendit dhe nëpër botë. Nichols nuk pranoi të vonojë këtë proces, që do të thotë se fillon të rrjedhë afati prej 30 ditësh për kthimin e punonjësve të USAID-it nga jashtë, me shpenzimet e qeverisë amerikane.

Ky vendim erdhi pas një padie të ngritur nga sindikatat në emër të punonjësve të Agjencisë, përfshirë ata që rrezikojnë të mbeten jashtë vendit. Në padi thuhet se administrata e Trumpit ka zvarritur kthimin urgjent të punonjësve dhe bashkëshortëve të tyre nga jashtë, duke rrezikuar edhe ata që aktualisht janë në arrati nga dhuna politike në Kongo, pa asnjë mbështetje nga SHBA.

Padia gjithashtu vë në pikëpyetje kushtetutshmërinë e shpërbërjes së USAID-it, duke argumentuar se për këtë nevojitet miratimi i Kongresit. Gjyqtari Nichols vlerësoi se ky mosmarrëveshje duhet të zgjidhet në përputhje me ligjin federal për punësimin dhe jo në një gjykatë të qarkut, raporton agjencia Associated Press (AP).

Shpërbërja e USAID-it është pjesë e një reduktimi të madh të sektorit publik amerikan që po zbatohet nga multimiliarderi Elon Musk, me urdhër të Trumpit. Musk dhe Trump pretendojnë se kjo reduktim do të kursejë miliarda dollarë.

Kategoritë
BotaLajme