Ministri amerikan i mbrojtjes, Pete Hegseth, sot në Bruksel përjashtoi mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në NATO dhe deklaroi se është “joreale” të pritet që kufijtë e Ukrainës të kthehen në gjendjen para aneksimit të Krimesë në vitin 2014.
“Ne duam, ashtu si ju, një Ukrainë sovrane dhe të prosperuar. Por duhet të pranojmë se kthimi në kufijtë e Ukrainës para vitit 2014 është një objektiv jorealist,” tha Hegseth në fjalën e tij hyrëse përpara Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës.
Ai shtoi se “ndjekja e këtij objektivi iluzor do të zgjasë vetëm luftën dhe do të shkaktojë edhe më shumë vuajtje.”
Hegseth gjithashtu premtoi se trupat amerikane nuk do të vendosen në Ukrainë si pjesë e ndonjë marrëveshjeje sigurie dhe se garancitë e sigurisë “nuk duhet të sigurohen përmes anëtarësimit në NATO.”
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk besojnë se anëtarësimi i Ukrainës në NATO është një rezultat realist i një zgjidhjeje negociuese. Në vend të kësaj, çdo garanci sigurie duhet të mbështetet nga trupa të afta evropiane dhe jo-evropiane. Nëse këto trupa vendosen si forca paqeruajtëse në Ukrainë në ndonjë moment, ato duhet të jenë pjesë e një misioni që nuk është nën NATO dhe nuk duhet të mbulohen nga Neni 5. Gjithashtu, duhet të ketë një mbikëqyrje të fortë ndërkombëtare të vijës së kontaktit,” deklaroi Hegseth.
“Për të qenë i qartë,” shtoi ai, “si pjesë e çdo garancie sigurie, trupat amerikane nuk do të vendosen në Ukrainë.”
Ai gjithashtu përsëriti thirrjet e presidentit Donald Trump që aleatët të rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtjen në 5% të PBB-së së tyre, në vend të 2% aktuale.
“Anëtarët e këtij grupi kontakti duhet t’i përgjigjen momentit… 2% nuk është e mjaftueshme,” tha ai.
“Presidenti Trump ka kërkuar 5% dhe unë pajtohem. Rritja e përkushtimit tuaj ndaj sigurisë suaj është një investim për të ardhmen, një investim, siç e thatë ju, zoti ministër, për paqen përmes fuqisë.”