Një insekt ri është zbuluar në Kosovë, ekzistenca e tij është në rrezik

Profesori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Halil Ibrahimi, ka paralajmëruar se krahas rëndësisë së kësaj specie për ekosistemin, ajo rrezikohet me zhdukje nga hidrocentralet e shumuara kohëve të fundit në Kosovë.

Një specie e re, insekt i rrallë ujor, është zbuluar në rrjedhën anësore të lumit Lumbardhi të Deçanit, në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” në Kosovë.

Profesori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Halil Ibrahimi, i cili merret tash e disa vite me këtë fushë, ka paralajmëruar se krahas rëndësisë së kësaj specie për ekosistemin, ajo rrezikohet me zhdukje nga hidrocentralet e shumuara kohëve të fundit në Kosovë.

Insekti “Tinodes lumbardhi”, i cili u zbulua nga Ibrahimi dhe ekipi i tij hulumtues, nënvizon biodiversitetin e lartë të rajonit dhe nevojën urgjente për ruajtje.

Insekti ujor është i vogël, me krahë më pak se 5 mm të gjatë, derisa emri i tij, “lumbardhi”, nderon emrin e vendit të origjinës, që do të thotë “lum i bardhë”.

Në punimin e tyre kërkimor, të botuar në Biodiversity Data Journal, studiuesit bëjnë thirrje për masa urgjente të synuara të ruajtjes për të zbutur ndikimet e zhvillimit të hidrocentraleve dhe kërcënimeve të tjera antropogjene në rajon.

“Mbrojtja e këtyre specieve të rralla dhe habitateve të tyre nuk është vetëm një imperativ moral, por edhe një hap vendimtar drejt ruajtjes së integritetit ekologjik të sistemeve të ujërave të ëmbla të Kosovës”, thotë Ibrahimi.

Duke strehuar disa lloje të rralla dhe endemike, “Bjeshkët e Nemuna” janë të njohura edhe për diversitetin e insekteve.

Por, pavarësisht pasurive në ekosistemin e ujërave të ëmbla në këtë park kombëtar në perëndim të Kosovës, ato po përballen me kërcënime në rritje nga aktivitetet njerëzore.

Zhvillimi i hidrocentraleve, ndotja dhe nxjerrja e ujit kanë degraduar rëndë habitate si lumi Lumbardhi i Deçanit, duke bërë që në disa zona të varfërohet numri i insekteve dhe të ketë mungesë alarmante të peshqve.

Grupi i insekteve ku bënë pjesë edhe zbulimi nga Kosova, i quajtur si “Caddisfly”, janë të njohura për ndjeshmërinë e tyre ndaj ndryshimeve mjedisore. Këto insekte të vogla nuk janë vetëm jetike për biodiversitetin, por edhe për ruajtjen e stabilitetit ekologjik përballë kërcënimeve si ndryshimi i klimës dhe shkatërrimi i habitatit.

Kategoritë
LajmeVendi