Një javë nga dorëheqjet e serbëve në veri të vendit

Saktësisht një javë më parë, më 5 nëntor, serbët në veri të vendit morën vendim që të largohen nga institucionet qendrore dhe lokale të Kosovës.

Kjo pasi që kundërshtuan fillimin e implementimit të vendimit qeveritar për konvertimin e targave nga ilegale në ato të Republikës së Kosovës.

Një gjë e tillë po u shkakton probleme qytetarëve që jetojnë atje.

Këtë e pohon edhe zëvendëskryesuesi i Asamblesë Komunale në Mitrovicën e Veriut, Skënder Sadiku.

Sadiku thotë se institucionet në veri, si Policia e Kosovës, Gjyqësori e Prokuroria, janë duke funksionuar por me kapacitete tejet të limituara.

Sipas tij, largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës nuk po del të jetë vullnetar meqë shumë punonjës në kushte anonimiteti kanë dhënë rrëfime të ndryshme se janë detyruar të japin dorëheqje dhe se vendimi është marrë nga Lista Serbe.

Për dallim nga komunat e Veriut, në gjashtë komunat tjera me shumicë serbe në pjesën tjetër të vendit, nuk ka pasur dorëheqje dhe bojkot të institucioneve.

Kategoritë
LajmeVendi