Një kthesë shokuese në rastin e vdekjes së Janis Timma: Ish-gruaja e dyshuar për porositjen e vrasjes së tij

Këngëtarja Anna Sedokova, ish-gruaja e basketbollistit letonez Janis Timma, është dyshuar se ka porositur vrasjen e ish-bashkëshortit të saj, në një kthesë tronditëse të ngjarjeve që fillimisht u pretendua të ishte vetëvrasje.

Trupi i Timmas, 32 vjeç, ish-bashkëshorti i Sedokovës, u zbulua natën e 17 dhjetorit në hyrjen e një ndërtese pesëkatëshe në qendër të Moskës. Sipas të dhënave paraprake, ai kishte kryer vetëvrasje.

Ndërkohë, kanë ardhur informacione të shumta të paverifikuara mbi shkaqet e vdekjes, duke përfshirë asfiksinë ose hedhjen nga banesa e tij.

Shumë nga miqtë e Timmas nuk besuan se bëhej fjalë për vetëvrasje. Blogeri dhe miku i basketbollistit të ndjerë, Mark Pugaçov, deklaroi se në Letoni është hapur një procedurë penale për vdekjen e Timmas, duke shprehur dyshimet e tij për një vrasje, raportoi portali Championat.com.

Mark nuk përmendi asnjë emër, por kanali Telegram Mash publikoi se fjala ishte për ish-gruan e Timmas, Sedokova.

“Miku i basketbollistit, Mark Pugaçov, na tha se është bërë dëshmitar në rast. Ai do të dëshmojë kundër Anna Sedokovës. Thuhet se këngëtarja ka organizuar vrasjen me porosi, për shkak të pasurisë së tij dhe katër apartamenteve që Janis kishte blerë për 180 milionë rubla,” raportoi Mash.

Vetë Pugaçov nuk e ka përmendur emrin e saj publikisht, por aludohet se ai e kishte parasysh atë. Në rrjetet sociale, ai deklaroi se edhe vetë mund të vritet, por nuk do të tërhiqet dhe do të përpiqet të zbulojë të vërtetën deri në fund.

Në Letoni, reagimet për deklaratat e Pugaçovit kanë nisur. Në shtypin lokal kanë filluar të shfaqen publikime që citojnë deklaratat e tij. Disa raportime pretendojnë se Mark zotëron shumë informacione që ende nuk dëshiron t’i bëjë publike. Sipas portalit Jauns.lv, Pugaçov gjithashtu ka deklaruar se pas vdekjes së Timmas, Sedokova kishte telefonuar nënën e basketbollistit dhe i kishte kërkuar kodin PIN të kartës SIM të telefonit të tij.

Dyshohet se në këtë mënyrë ajo dëshironte të hynte në informacione që mund të ndodheshin aty dhe ndoshta t’i fshinte ato. Mark më parë ka thënë se telefoni mund të bëhet një nga provat kryesore në rastin e vdekjes së basketbollistit.

Sedokova dhe basketbollisti letonez filluan një marrëdhënie në vitin 2019 dhe martesa e tyre u zbulua një vit më vonë. Për këngëtaren ishte martesa e saj e tretë, për basketbollistin e dyta, por më herët këtë vit u mësua për divorcin e tyre.

Sipas mediave ruse, Timma vuante nga depresioni dhe vdiq në ditën kur ish-gruaja e tij festonte ditëlindjen. Në telefonin e tij ishte lënë një mesazh pikërisht për të.

Letonezi thuhet se nuk e kishte kapërcyer dot divorcin me ish-gruan e tij, gjë që fillimisht u dyshua si arsye për vetëvrasje. Tani është hapur një hetim për të sqaruar rastin deri në fund.

Kategoritë
Sport