Schlegel tha se Moska me zhvillimet e reja po e inkuadron konfliktin e Ukrainës si një “konfrontim të drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe SHBA-së” dhe mund të pritet “të përdorë më shumë nga kjo retorikë”
Derisa lufta e tyre arriti gjurmën e zymtë të 1 mijë ditëve, Rusia dhe Ukraina kanë kaluar në një fazë të re të përshkallëzimit të rrezikshëm dhe potencialisht bërthamor.
Presidenti në largim i SHBA-së, Joe Biden, tashmë i ka dhënë Kievit diçka që kërkonte prej kohësh, respektivisht lejen për të përdorur raketa me rreze të gjatë veprimi të furnizuara nga SHBA-ja për të goditur objektiva brenda Rusisë.
Moska u përgjigj duke përditësuar doktrinën e saj bërthamore, me një nga ndryshimet kyçe që një sulm nga një shtet jo-bërthamor i mbështetur nga një fuqi bërthamore do të trajtohet si një sulm i përbashkët.
Derisa Washingtoni zyrtarisht akoma nuk e ka konfirmuar ndryshimin e madh të politikës së administratës së presidentit Biden, raportet e fundit të mediave amerikane thonë se është miratuar edhe dërgimi i minave anti-personelit për të forcuar mbrojtjen e Kievit.
Këto zhvillime dolën me shpejtësi që kur filluan të shfaqen raportet gjatë javëve të fundit në lidhje me vendosjen e supozuar të trupave të Koresë së Veriut për të mbështetur përparimet e Rusisë.
Koreja e Jugut, një aleat kyç i SHBA-së, ishte e para që tërhoqi vëmendjen ndaj përfshirjes së Phenianit, ndërsa më vonë Washingtoni dhe NATO-ja mbështetën pretendimet e saj.
As Rusia dhe as Koreja e Veriut nuk i kanë konfirmuar apo mohuar pretendimet, por të dyja kohëve të fundit i kanë ngritur lidhjet dypalëshe në një marrëveshje gjithëpërfshirëse të partneritetit strategjik, duke lejuar ndihmën e ndërsjellë ushtarake në rast agresioni nga një palë e tretë.
E gjithë kjo ndodhi gjithashtu në sfondin e zgjedhjeve të 5 nëntorit në SHBA, ku republikanët morën pushtetin nga Partia Demokratike dhe Shtëpinë e Bardhë nga Donald Trump, i cili është zotuar t’i japë fund luftës në Ukrainë.
– Rruga drejt përshkallëzimit apo dialogut?
Sipas analistit ukrainas në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Simon Schlegel, kthimi i Trump-it në Shtëpinë e Bardhë do të jetë një faktor kryesor në mënyrën se si situata evoluon, deri në pikën ku mund të ndryshojë kursin nga një konflikt i frikshëm bërthamor në negociata.
Duke folur për Anadolu, Schlegel tha se Moska me zhvillimet e reja po e inkuadron konfliktin e Ukrainës si një “konfrontim të drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe SHBA-së” dhe mund të pritet “të përdorë më shumë nga kjo retorikë”.
Sipas tij, kjo mund të provojë të jetë një “mënyrë e mirë për të vendosur në punë” bisedimet e drejtpërdrejta midis presidentit rus, Vladimir Putin dhe Trump-it.
“Është një mënyrë e mirë për të thënë se ky është një konflikt në të cilin Rusia është e përfshirë drejtpërdrejtë me SHBA-në dhe NATO-n dhe më pas do të hapte terren për të argumentuar se në rast negociatash ata do të donin të flisnin drejtpërdrejtë me Washingtonin, që është diçka që Putin e ka kërkuar për një kohë të gjatë”, tha Schlegel.
Putin, theksoi analisti ukrainas, është “me të vërtetë i interesuar të bisedojë me Washingtonin, veçanërisht kur Trump të jetë president atje”, duke shtuar se Putin nuk ka interes të veçantë të bisedojë me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.
Megjithatë, Schlegel tha se Moska “definitivisht” i sheh lëvizjet e fundit të SHBA-së si një përshkallëzim, “ndonëse ka qenë mjaft e qartë për një kohë që ky hap do të vijë”.
“Ata (rusët) mund të përpiqen t’i përgjigjen me hapa agresive të mëtejshme, të cilët me shumë gjasa nuk përfshijnë përdorimin ose kërcënimin shumë serioz me armë bërthamore”, tha ai.
Përdorimi i raketave me rreze të gjatë veprimi nga Kievi, theksoi Schlegel, “mund të jetë mjaft i dhimbshëm për rusët, të cilët do të duhet të mbrojnë rrjetin e tyre logjistik shumë më mirë”.
“Ata do të pësojnë disa dëme, por ndoshta nuk do të pësojnë dëme që do të ndryshojnë ekuilibrin e luftës”, tha ai.
– Lufta e Ftohtë po kthehet në Luftë të Tretë Botërore?
Ndërkaq, Jingdong Yuan, një akademik në Institutin Ndërkombëtar të Kërkimeve të Paqes në Stokholm (SIPRI), thotë se çdo konfirmim zyrtar i pranisë së trupave të Koresë së Veriut do të shënonte herën e parë që ndonjë vend aziatik përfshihet në një luftë që nga konflikti kufitar sino-vietnamez i vitit 1979.
Dërgimi i trupave nga Pheniani do të ishte një zhvillim “mjaft i jashtëzakonshëm”, tha Yuan, sipas të cilit “me sa duket (është një veprim) i nxitur nga marrëveshja dhe angazhimet dypalëshe” të bëra gjatë vizitës së presidentit Putin në Korenë e Veriut në muajin qershor.
Për liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-Un, tha Yuan, objektivi do të ishte të tregojë një “nivel afërsie” me Rusinë, duke ndihmuar gjithashtu trupat koreano-verior “të përjetojnë dhe të fitojnë mësime të vërteta luftarake, të cilat do të jenë të dobishme për çdo konflikt të ardhshëm ushtarak me Korenë e Jugut”.
Duke folur për presidentin Putin, Jingdong tha se dërgimi i trupave nga Koreja e Jugut i jep atij “disa nga legjitimitetet për të cilin ai po përpiqet, veçanërisht duke marrë parasysh mbështetjen dërrmuese (perëndimore) për Ukrainën”.
“Lufta e Ukrainës po zgjerohet me trupat ukrainase që hyjnë dhe pushtojnë territoret ruse dhe me lejen graduale nga SHBA-ja që armët e saj të përdoren në luftime, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Kjo është për të ardhur keq dhe mund të jetë e rrezikshme për shkak të rreziqeve të përshkallëzimit të mëtejshëm”, tha ai.
Leonid Petrov, një akademik në Kolegjin Ndërkombëtar të Menaxhimit në Australi dhe ekspert për çështjet lidhur me Korenë e Veriut, theksoi se përfshirja e Phenianit në luftën e Ukrainës është krejtësisht e ndryshme nga veprimet e tij të mëparshme në mbështetje të Rusisë.
“Kjo është hera e parë që Koreja e Veriut ka dërguar jashtë vendit një kontingjent masiv trupash. Më parë, ata kufizoheshin nga grupe të vogla këshilltarësh ushtarak dhe teknik. Ky ishte rasti në Afrikë në vitet 1980 dhe në Lindjen e Mesme në vitet 1990. Me sa duket, marrëdhëniet e Koresë së Veriut me Rusinë e Putin-it po bëhen shumë të veçanta këto ditë”, tha Petrov për Anadolu.
Ai sheh “vija të qarta që po vizatohen në të gjithë globin”, duke paralajmëruar se ndarjet mund të çojnë në përshkallëzim të madh.
“Ne jetojmë në kohën e Luftës së Ftohtë të re, e cila po kthehet shpejt në Luftë të Tretë Botërore. Sistemi i vjetër i bllokut ideologjik (komunizmi kundër kapitalizmit) po kthehet në një opozitë të re të diktaturave kundër demokracisë. Koreja e Veriut, Kina dhe Rusia, si më parë, i përkasin kampit të mëparshëm dhe Koreja e Jugut, Japonia dhe Ukraina janë fort në anën e demokracisë liberale. Konflikti është po aq i papajtueshëm sa më parë dhe mund të përfundojë vetëm me shembjen e një prej kampeve”, tha Petrov.
Për arsyet e mbështetjes në rritje të Koresë së Veriut për Rusinë, Petrov tha se Phenianit i “duhet gjithçka, nga ushqimet te energjia, nga teknologjia te pjesët rezervë”.
“Më shumë se çdo gjë Pheniani ka nevojë për valutë të fortë për të financuar besnikërinë e elitave. Moska është në gjendje t’i ofrojë të gjitha këto Phenianit dhe të pyesë se çfarë i nevojitet më shumë për momentin”, tha ai.
– Pekini në prapavijë
Kina ka qëndruar në heshtje për çështjen e trupave të Koresë së Veriut në Rusi.
Pekini mban lidhje të nivelit të lartë me Moskën dhe gjithashtu ka qenë një mjet shpëtimi për ekonominë e shtrydhur të Koresë së Veriut gjatë dekadave të fundit.
Sidoqoftë, analisti politik me bazë në Pekin, Einar Tangen, për Anadolu tha se marrëdhëniet dypalëshe midis Kinës dhe Koresë së Veriut kanë qenë “shumë të qeta”.
“Nevoja e Rusisë për municion diversifikoi marrëdhëniet e Koresë së Veriut përtej varësisë së saj (nga Kina)”, tha Tangen.
Sipas tij, Pheniani ka qenë “gjithmonë dyshues për vëllain e tij të madh” në vendin fqinj, ndërsa Kina është “e frustruar” nga “mungesa e përparimit ekonomik” e Koresë së Veriut dhe është e shqetësuar se “çfarë do të ndodhte nëse regjimi do të bëhej i paqëndrueshëm”.
“Pekini nuk dëshiron që trupat e tij të jenë kokë më kokë me ushtarët amerikanë dhe nuk do që një vërshim refugjatësh të derdhet mbi kufi”, tha ai.
SHBA-ja ka më shumë se 28.500 trupa të dislokuara në Korenë e Jugut në kuadër të një traktati dypalësh që nga lufta ndër-koreane e viteve 1950, e cila përfundoi me një armëpushim që do të thotë se dy Koretë e ndara janë akoma teknikisht në një gjendje lufte.
“Dërgimi i trupave për të mbështetur Rusinë është një taktikë e re për të tërhequr vëmendjen ndaj Koresë së Veriut, gjë që gjuajtja e raketave balistike nuk e ka arritur dhe dërgon një mesazh të qartë se Kim është në skenën ndërkombëtare”, tha ai.
Gjithashtu, theksoi Tangen, Pheniani “nuk e ka zakon të njoftojë Pekinin për qëllimet e tij”.
Duke treguar përkujtimin e ulët të 75 viteve të lidhjeve diplomatike midis Kinës dhe Koresë së Veriut në muajin tetor, Tangen tha se “ndjekja e Koresë së Veriut për lidhje më të forta me Rusinë e ka vënë Pekinin në prapavijë”.