Një muaj paraburgim për dy pronarët e “Prishtina Jet” që dyshohet se mashtruan me bileta

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve dy pronarëve të kompanisë “Prishtina Jet”, M. K. Dhe A.B. nën dyshimin se e kanë kryer veprën penale “mashtrim”.

Sipas komunikatës thuhet se M.K dyshohet se ka kryer edhe veprën penale Shmangie nga tatimi.

“Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ka vlerësuar se nëse të pandehurit M.K dhe A.B gjendet në liri, ekziston rreziku potencial i arratisjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale në këtë të fazë të procedurës, ngase të njëjtit kanë zhvilluar aktivitet të kundërligjshëm dhe atë në bashkëkryerje duke dëmtuar një numër të konsiderueshëm të qytetarëve përmes agjencionit të tyre, andaj po të lihen në liri, të njëjtit do ti ikin përgjegjësisë penale dhe me këtë do të pengojnë edhe rrjedhën e procedurës penale”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu nëse lihen në liri, të pandehurit do t’i përsërisin veprat të ngjashme penale dhe me këtë do të vazhdoj edhe më tutje dëmtimi i pasurisë së qytetarëve të Republikës së Kosovës.Të pandehurit M.K dhe A.B dyshohen nga prokuroria se në bashkëkryerje, përmes fakteve të rreme përmes Agjencisë Turistike “Prishtina Jet” iu kanë shitur bashkatdhetarëve/të dëmtuarve bileta fiktive për udhëtim me aeroplan nga shtetet e perëndimit në Kosovë me një çmim shumë më të lirë se sa çmimi aktual, e të cilat fluturime nuk janë realizuar edhe përkundër pagesave që janë bërë nga të dëmtuarit.

Kategoritë
LajmeVendi