Një peshk disa qindra herë më helmues se cianidi është shfaqur në detin Adriatik

Një specie e re shfaqet çdo javë në detin Adriatik për shkak të ndryshimeve të temperaturës. Disa muaj më parë, një peshkatar pranë ishullit Košara afër Pasmanit, kapi një peshk helmues, pufer me vija argjendi (Lagocephalus sceleratus).

Fjala është për një specie jashtëzakonisht helmuese dhe vdekjeprurëse, e cila në muskujt, gjëndrat gjinore, mëlçinë dhe lëkurën e saj përmban një helm të fortë termostabil, tetrodotoksinë. Konsumimi i tij është i ndaluar në vendet e BE-së, por në Japoni është një delikatesë gastronomike e njohur si “fugu”, e cila përgatitet sipas procedurave të veçanta për shkak të helmit vdekjeprurës.

Besohet se ky helm termostabil është disa qindra herë më i fortë se cianidi.

Për çfarë lloj peshku është, kolegët nga N1 e Kroacisë e pyetën Dr. Jakov Dulçiq, drejtues i laboratorit për ihtiologji dhe peshkim bregdetar në Institutin e Oqeanografisë dhe Peshkimit në Split.

“Shpërndahet në Oqeanin Indian, Paqësorin perëndimor dhe Detin e Kuq. Është një emigrant Lessepsian, që do të thotë se ka arritur në Mesdhe nga Deti i Kuq nëpërmjet Kanalit të Suezit. Është një specie jashtëzakonisht invazive që ka krijuar plotësisht popullatat e saj në Mesdhe, veçanërisht në pjesën lindore të tij”, shpjegon Jakov Dulçiq.

Ai shtoi se ky peshk është parë për herë të parë pranë ishullit Jakljan afër Dubrovnikut në vitin 2012. Më pas është gjetur përgjatë brigjeve shqiptare, malazeze dhe kroate.

Instituti ka paralajmëruar qytetarët në rrjetet sociale që nëse e takojnë të shmangin kontaktin e drejtpërdrejtë nëse është e mundur dhe nëse kjo është e pamundur të trajtojnë me kujdes. Përveç helmit, kjo specie ka një nofull të fortë me dhëmbë të mprehtë, kështu që pickimi i saj mund të shkaktojë lëndime serioze.

Kategoritë
LajmeRajoni