Në kulmin e diskutimeve për intensifikimin e iniciativës për normalizimin e marrëdhënieve midis Izraelit dhe Arabisë Saudite, në Tel Aviv dhe Uashington janë shfaqur bilborde shumë interesante në disa lokacione.
Në qendër të Tel Avivit, në disa vende, janë vënë re bilborde që paraqesin presidentin amerikan Donald Trump dhe princin trashëgimtar saudit Mohammed bin Salman.
Në sfondin e tyre gjendet flamuri i Izraelit dhe mbishkrimet “Ne jemi gati” dhe “Izraeli është gati”.
Postera të ngjashëm janë parë edhe në Uashington, ku do të zhvillohet takimi midis Trumpit dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
Fushata është nisur nga Koalicioni për Sigurinë Rajonale, i cili ka bërë thirrje përfaqësuesve amerikanë dhe sauditë që të rishkruajnë historinë.
“Normalizimi i marrëdhënieve midis Arabisë Saudite dhe Izraelit do të transformojë Lindjen e Mesme, duke siguruar të ardhmen tonë të përbashkët nga agresioni iranian dhe paqëndrueshmëria rajonale. Koha është që forcat e moderuara të bashkohen. Koha për një rend të ri rajonal ka ardhur. E nesërmja është tani. Ne jemi gati. Izraeli është gati,” thuhet në deklaratën e koalicionit.
Për sa i përket shtetësisë palestineze, në deklaratë bëhet thirrje për një kornizë të sigurt dhe të qëndrueshme të ndarjes, e mbështetur nga bashkëpunimi rajonal.
Grupi gjithashtu u bën thirrje liderëve të punojnë për zgjidhje që të neutralizojnë grupet e mbështetura nga Irani, si Hamasin në Gaza dhe Hezbollahun në Liban, për të mbrojtur kufirin me Sirinë dhe për të parandaluar Teheranin nga sigurimi i armëve bërthamore.