Një sulm izraelit në një shkollë në veri të Gazës vrau të paktën 22 persona më 21 shtator, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës. Ushtria izraelite tha se kishte shënjestruar një qendër komanduese të Hamasit– grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – në atë që dikur ishte një shkollë.
Sipas ministrisë, 30 të tjerë u plagosën në sulmin ndaj shkollës në zonën Zeitoun të Gazës. Shumica e viktimave ishin gra dhe fëmijë. Ende nuk është e qartë në cilin spital janë dërguar të vdekurit dhe të plagosurit.
Ushtria izraelite deklaroi më parë se kishte goditur “qendrën komanduese dhe të kontrollit të Hamasit, që ishte vendosur brenda një kompleksi që më parë ka shërbyer” si shkollë. Ata thanë se kishin marrë masa për të kufizuar dëmtimin e civilëve, përfshirë përdorimin e municioneve të sakta dhe mbikëqyrjen ajrore.
Që nga shpërthimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit, ushtria izraelite ka goditur disa shkolla, të mbushura me dhjetëra mijëra palestinezë të larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të ofensivave dhe urdhrave të evakuimit të Izraelit. Sipas Kombeve të Bashkuara, 90 për qind e palestinezëve në Gaza janë zhvendosur.