Një tjetër gazetar palestinez vritet në sulmet e Izraelit në Gaza

Zyra për media e qeverisë në Gaza tha se ushtria izraelite kreu sulm ajror në shtëpinë e gazetarit Omar Salah Al-Derawi, i cili punonte si kameraman për agjenci të ndryshme lajmesh në Gaza

Një gazetar tjetër palestinez u vra në sulmet e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Në deklaratën me shkrim nga Zyra për media e qeverisë në Gaza thuhet se ushtria izraelite kreu sulm ajror në shtëpinë e gazetarit Omar Salah Al-Derawi, i cili punonte si kameraman për agjenci të ndryshme lajmesh në Gaza.

Gazetari palestinez Al-Derawi dhe prindërit e tij humbën jetën në bombardimin e kryer ndaj shtëpisë së tij në zonën Al-Zawaida në pjesën qendrore të Gazës.

Me vrasjen e Al-Derawit është rritur në 202 numri i gazetarëve të vrarë në sulmet e kryera nga ushtria izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023.

Në deklaratë i bëhet thirrje Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, Federatës së Gazetarëve Arabë dhe të gjitha institucioneve të medias që të dënojnë krimet sistematike të kryera kundër kolegëve të tyre në Gaza dhe i kërkohet komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë hap parandalues ​​kundër Izraelit në gjykatat ndërkombëtare.

Kategoritë
BotaLajme