Një vajzë që u prezantua si studente i dha mbështetje Vuçiqit në TV, por doli se nuk është studente

Marina Stanišić ishte mysafire të dielën në TV Pink së bashku me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe u prezantua si studente e Fakultetit të Teknologjisë dhe Metalurgjisë në Universitetin e Beogradit. Sot, plenumi i studentëve të këtij fakulteti reagoi duke deklaruar se ajo nuk është studente e tyre.

Ata bënë të ditur se Marina Stanišić nuk është e regjistruar në këtë vit akademik në Universitetin e Beogradit.

“Plenumi i studentëve të Fakultetit të Teknologjisë dhe Metalurgjisë në Universitetin e Beogradit distancohet qartë dhe pa ekuivoke nga deklaratat e Marina Stanišić, e cila prezantohet rrejshëm si studente e Universitetit të Beogradit. Marina Stanišić e nisi studimet në këtë fakultet në vitin 2022, por nuk është regjistruar për vitin akademik 2024/2025. Prandaj, pohimi se Marina është studente e Fakultetit të Teknologjisë dhe Metalurgjisë, apo e Universitetit të Beogradit, nuk është i vërtetë”, u tha në njoftimin e publikuar në profilin zyrtar në Instagram.

Ata shtuan se është e qartë që opinionet e shprehura nuk pasqyrojnë qëndrimet e studentëve në bllokadë, por janë mendime personale për të cilat secili ka të drejtë.

“Në këtë kontekst, Plenumi i studentëve të TMF-së nuk ka nevojë të distancohet më tej nga qëndrimet e përmendura. Theksojmë se askush nuk ka të drejtë të prezantohet rrejshëm si student i fakultetit tonë”, u shtua më tej.

Stanišić ishte e ftuar në emision së bashku me profesorin e Fakultetit Juridik në Beograd, Vladan Petrov, dhe studentin Miloš Pavlović.

Gjatë emisionit, në studio hyri edhe babai i saj, i cili u takua me Vuçiqin dhe i tha së bijës:

“Urime ty dhe të gjithë studentëve që nuk morët para.”

Ndryshe, Marina Stanišić foli disa ditë më parë edhe në tubimin e Vuçiqit me rastin e festës së Sretenjës në Sremska Mitrovica. Edhe atëherë u prezantua si studente e Fakultetit të Teknologjisë dhe Metalurgjisë dhe i dha mbështetje Vuçiqit, duke u bërë thirrje qytetarëve të ndjekin rrugën që ai po u tregon.

Kategoritë
LajmeRajoni