Një variant i ri i koronavirusit po përhapet në Evropë: Çfarë dimë deri më tani për të?

Edhe pse duket se XEC po përhapet më shpejt dhe më lehtë se variantet e mëparshme të COVID-it, rastet deri tani nuk janë aq të rënda sa ato të regjistruara gjatë kulmit të pandemisë. Ekspertët po bëjnë pyetjen: çfarë e bën XEC të ndryshëm dhe a duhet të shqetësohemi?

Si u krijua varianti i ri XEC?

XEC është një version ‘rekombinant’ i virusit SARS-CoV-2, shkaktarit të sëmundjes COVID-19. Ato krijohen kur një person infektohet njëkohësisht me dy lloje të ndryshme të COVID-it. Materiali gjenetik i atyre llojeve ‘rekombinohet’, duke krijuar një lloj të ri, shkruan Al Jazeera.

Megjithëse simptomat e deritanishme të XEC kanë qenë të buta, ky variant i ri i përket nënvariantit të Omikronit, i cili shënoi forma më të rënda të sëmundjes në vitin 2022. Omikroni zhvilloi shumë nënvariante, dhe XEC është rezultat i rekombinimit të dy llojeve – KP.3.3 dhe KS.1.1.

Si përhapet XEC?

Ngjashëm me variantet e tjera të koronavirusit, XEC transmetohet kryesisht përmes pikave respiratore që qëndrojnë në ajër kur një person i infektuar merr frymë, flet, kollitet ose teshtin. Virusi mund të mbijetojë në sipërfaqe, por ky mënyrë transmetimi është më e rrallë. Ekspertët këshillojnë distancën fizike, përdorimin e maskave në hapësirat publike dhe përdorimin e dezinfektuesve.

Sipas njohurive të para, XEC përhapet më lehtë se variantet e tjera të COVID-it për shkak të proteinave specifike të tij ‘spike’, të cilat i mundësojnë hyrjen më të lehtë në qeliza, raporton tportal.

Cilat janë simptomat e XEC?

Simptomat e XEC përfshijnë dhimbje fyti, temperaturë, lodhje dhe dhimbje muskulore. Këto simptoma janë zakonisht të lehta dhe shfaqen brenda dy deri në 14 ditë pas infektimit. Edhe pse mund të jenë më të rënda për grupet e rrezikuara, si të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike, në shumicën e rasteve infeksioni mund të jetë asimptomatik.

Kur u zbulua lloji i ri dhe ku është përhapur?

XEC u zbulua në Berlin në gusht, dhe mostrat u mblodhën dy muaj më parë si pjesë e monitorimit rutinë të COVID-it. Sipas Iniciativës Globale për Ndarjen e të Dhënave për Infeksionet (GISAID), që atëherë më shumë se 600 raste janë regjistruar në 27 vende.

Shumica e rasteve (21 për qind) janë zbuluar në Francë, dhe virusi po përhapet gjithashtu shpejt në Mbretërinë e Bashkuar, Kanada, Danimarkë, Holandë dhe Gjermani. Në Shtetet e Bashkuara, më shumë se 100 raste janë raportuar në 25 shtete.

Sa çfarë është i rrezikshëm XEC?

Informacionet e deritanishme sugjerojnë se XEC nuk është një variant radikalisht i ndryshëm apo më i rrezikshëm se nënvariantet e tjera të Omikronit. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ende nuk e ka kategorizuar XEC-in si një ‘variant me interes’.

Pritet që përhapja e COVID-it dhe varianteve të tij të rritet kryesisht gjatë vjeshtës dhe dimrit, kur njerëzit kalojnë më shumë kohë në ambiente të mbyllura. Ekspertët parashikojnë që XEC do të arrijë kulmin në fund të tetorit ose në nëntor, kryesisht në Evropë dhe Amerikën e Veriut. Gjithashtu, disa studime paraprake tregojnë se vaksinat ekzistuese ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme kundër variantit XEC.

Kategoritë
BotaFamiljeLajmeShëndetësi