Ish-presidenti finlandez, Marti Ahtisari përmes planit të tij kishte trasuar rrugën e Kosovës drejt shpalljes së pavarësisë më 2008. Në atë plan ishin dhënë garanci të forta për komunitetin serb. Ndonëse vet tashmë jo-aktiv në politikë për shkak të moshës së shtyrë, fondacioni që ka në pronësi vazhdon të merret ende me Kosovën.
Një zyrtare e fondacionit të Ahtisarit, Annina Peltonen, bashkë me një diplomate nga Ministria e Punëve të Jashtme të Finlandës, Jeeni Laakso, kanë zhvilluar takime me përfaqësues të partive politike në vend. Ato janë shoqëruar edhe nga ambasadori finlandez në Kosovë. Ky aktivitet i tyre në Kosovë ka ardhur pas arritjes së Marrëveshjes Themelore në Ohër dhe momentumit kur ka kërkesa dhe presion të madh nga perëndimorët për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, gjë për të cilën është pajtuar kryeministri Albin Kurti.
Por, cili ka qenë qëllimi i këtyre takimeve dhe çfarë është diskutuar brenda selive të partive partiake. Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka qenë më detajist kur ka treguar për përmbajtjen e bisedës. Ai ka treguar se me delegacionin finlandez kanë diskutuar për modalitetet që mund t’i japë Finlanda për fazën e zbatimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.“Diskutuam modalitetet që mund t’i japë Finlanda për fazën e zbatimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, e udhëhequr nga BE dhe e përkrahur fuqishëm nga ShBA-të”, ka shkruar Haradinaj në njoftimin e tij në facebook.