Njerëzit në rrugë në mbarë Sirinë: Rrëzohen statuja, digjen flamuj të vjetër

Pas lajmit se forcat rebele kanë hyrë në kryeqytetin Damask, njerëzit kanë dalë në rrugë në të gjithë Sirinë.

Pushtimi i Damaskut erdhi pas një ofensive të shpejtë nga rebelët, të cilët pretendojnë se gjithashtu kanë “çliruar plotësisht” qytetin Homs, vetëm pak më shumë se shtatë ditë pasi morën Aleppon.

Rebelët sirianë shpallën kryeqytetin Damask të “çliruar” pasi hynë në qytet me rezistencë minimale nga forcat qeveritare, duke pretenduar se presidenti Bashar al-Asad është arratisur nga kryeqyteti, duke humbur kështu kontrollin shumëvjeçar mbi pushtetin.

Sipas një burimi pranë operacioneve të rebelëve, kërkimi aktiv për Asadin është në vazhdim. Lideri sirian nuk është parë dhe as dëgjuar publikisht që kur rebelët hynë në kryeqytet herët në mëngjesin e së dielës.

Ndërkohë, kryeministri sirian Mohammad Ghazi al-Jalali deklaroi se qeveria është e gatshme “të bashkëpunojë me çdo udhëheqje që zgjedh populli”.

Rebelët gjithashtu thanë se kanë marrë nën kontroll burgun famëkeq ushtarak të Saydnayas, në veri të Damaskut.

“Damasku është çliruar, tirani Bashar al-Asad është rrëzuar dhe të burgosurit e shtypur nga burgjet e regjimit janë liruar,” tha zëdhënësi, duke lexuar një deklaratë i rrethuar nga dhjetëra rebelë në televizionin shtetëror të dielën./Gazeta e Re

Kategoritë
BotaLajme