Njeriu i dytë i Senatit të SHBA-së: Dodik mbështet separatizmin, edhe kroatët kanë nisur veprimet

Presidenti pro tempore i Senatit amerikan nga Partia Republikane, Chuck Grassley, i dërgoi një mesazh të ashpër presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, duke e akuzuar atë për ndjekjen e një politike separatiste.

Ai theksoi se përpjekje të tilla nuk i kanë sjellë përfitime separatistëve në vitet ’90 dhe nuk do t’i sjellin as tani. Grassley kritikoi gjithashtu politikën kroate në Bosnje dhe Hercegovinë, duke vënë në dukje se edhe kroatët e Bosnjës kanë nisur veprime të ngjashme.

“Lideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, mbështet separatizmin në Bosnje dhe Hercegovinë. Tani, edhe separatistët mes kroatëve të Bosnjës kanë nisur veprimet. Kjo është një jehonë shqetësuese e viteve ’90 për shumë njerëz që u larguan nga dhuna dhe gjenocidi në atë periudhë. Separatizmi nuk pati një fund të mirë atëherë, dhe nuk do ta ketë as tani”, tha Grassley.

Dodik kohët e fundit ka nënshkruar ligje që synojnë bllokimin e funksionimit të institucioneve shtetërore të drejtësisë në territorin e Republikës Srpska, përfshirë Gjykatën dhe Prokurorinë e Bosnjës dhe Hercegovinës, Agjencinë Shtetërore të Hetimit dhe Mbrojtjes (SIPA), si dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të BiH. Këto ligje u miratuan më 27 shkurt në një seancë të posaçme të Kuvendit Popullor të RS dhe u publikuan në Gazetën Zyrtare të RS. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e Bosnjës dhe Hercegovinës javën e kaluar vendosi t’i pezullojë përkohësisht ato, gjë që shkaktoi një reagim të ashpër nga Milorad Dodik.

Veprimet e tij janë dënuar nga shumë vende evropiane, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ekspertë të drejtësisë brenda vendit, të cilët i kanë cilësuar si një sulm serioz ndaj rendit kushtetues të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Presidenti pro tempore i Senatit të SHBA-së (President pro tempore, që në latinisht do të thotë “president i përkohshëm”), është një senator që kryeson Senatin në mungesë të Zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara, i cili sipas Kushtetutës së SHBA-së është nominalisht kreu i Senatit.

Kategoritë
BotaLajme