Implantimi i një çipi në tru që mund të përkthejë mendimet tuaja në komanda kompjuterike mund të duket si fantashkencë – por për Noland Arbaugh kjo është bërë realitet.
Në janar të vitit 2024, tetë vjet pasi mbeti i paralizuar, 30-vjeçari Noland u bë personi i parë që mori një pajisje të tillë nga kompania amerikane e neuroteknologjisë Neuralink, e themeluar nga Elon Musk.
Edhe pse nuk ishte çipi i parë i këtij lloji – disa kompani të tjera kanë zhvilluar dhe implantuar të ngjashëm – rasti i Noland-it tërhoqi vëmendje të madhe për shkak të lidhjes me Musk-un.
Por Noland thekson se shkenca është pjesa më e rëndësishme këtu, jo ai dhe as Musk. Ai i tha BBC-së se ishte i vetëdijshëm për rreziqet, por: “Çfarëdo që të ndodhë, e mirë apo e keqe, pjesëmarrja ime mund t’i ndihmojë të tjerët. Edhe nëse ndodh diçka keq, ata do të mësojnë nga ajo.”
“Nuk ke kontroll, nuk ke privatësi”
Noland mbeti i paralizuar nga shpatullat e poshtë pas një aksidenti gjatë zhytjes në vitin 2016. Dëmtimet ishin aq të rënda saqë ai mendonte se nuk do të mund të mësonte, punonte apo luante më kurrë.
“Nuk ke kontroll. Nuk ke privatësi. Duhet të mësosh të mbështetesh te të tjerët për gjithçka”, tha ai.
Tani, çipi i Neuralink-ut po i kthen një pjesë të pavarësisë, duke i mundësuar të kontrollojë kompjuterin vetëm me mendje. Kjo ndodh falë një ndërfaqeje tru-kompjuter, e cila lexon sinjalet elektrike të trurit kur dikush mendon për një lëvizje dhe i përkthen ato në komanda dixhitale – si për shembull lëvizja e kursorit në ekran.
Kjo teknologji është punuar për dekada nga shkencëtarët, por lidhja e saj me Elon Musk e ka vënë edhe më shumë në qendër të vëmendjes.
“Musk ishte po aq i emocionuar sa unë”
Falë Musk-ut, Neuralink tërhoqi shumë investime, por gjithashtu nxiti shqetësime për sigurinë e procedurës. Kur u bë publike operacioni i Noland-it, ekspertët e quajtën “hap të madh përpara”, por paralajmëruan se do të duheshin vite për të vlerësuar ndikimin e plotë.
Musk ishte i përmbajtur në publik, duke thënë: “Rezultatet fillestare tregojnë sinjale premtuese.” Por sipas Noland-it, në bisedat private Musk ishte shumë entuziast.
“Ai ishte po aq i emocionuar sa unë që gjithçka po niste”, tha ai, por shtoi se nuk e sheh çipin si një “pajisje të Elon Musk-ut”, sepse Neuralink nuk është vetëm Musk.
“Kjo nuk duhet të ishte e mundur”
Noland tregon se menjëherë pas operacionit arriti të kontrollojë kursorin në ekran duke menduar për lëvizjen e gishtave.
“Sinqerisht, dukej si fantashkencë,” tha ai. Kur pa se si neuronet e tij reagonin dhe se po funksiononte, e kuptoi se mund të përdorte kompjuterin me mendje. Sot, ai madje luan shah dhe videolojëra me miqtë e tij – diçka që e kishte humbur prej kohësh pas paralizimit.
“Tani i mund miqtë në lojëra. Kjo nuk duhet të ishte e mundur, por është,” thotë ai.
Problemet dhe shqetësimet për privatësinë
Një nga shqetësimet më të mëdha është privatësia. Profesori i neuroshkencës Anil Seth nga Universiteti i Sussex thotë:
“Nëse dërgojmë aktivitetet e trurit jashtë, nuk zbulojmë vetëm çfarë bëjmë, por edhe çfarë mendojmë, besojmë dhe ndiejmë. Kur dikush mund të hyjë në mendjen tënde, nuk ka më kufij privatësie.”
Por Noland nuk shqetësohet për këtë – ai shpreson që një ditë të mund të kontrollojë edhe karrocën e tij apo madje një robot humanoid futurist.
Gjithsesi, teknologjia nuk është pa probleme. Në një moment, çipi u “shkëput pjesërisht” nga truri i tij dhe humbi plotësisht kontrollin ndaj kompjuterit. “Ishte shumë shqetësuese. Nuk dija nëse do të mund ta përdorja më Neuralink-un,” tha ai. Problemi u rregullua më vonë nga inxhinierët.
Një treg që po rritet
Neuralink nuk është i vetmi në këtë fushë. Kompania Synchron ka zhvilluar një çip më pak invaziv të quajtur Stentrode, që implantohet përmes venës në qafë pa nevojë për kirurgji në kafkë. Edhe ky pajisje lidhet me trurin dhe i dërgon sinjale kompjuterit.
Një nga përdoruesit e saj, Mark, tha për BBC se ka qenë i pari në botë që e përdori këtë pajisje me syzet e realitetit virtual Apple Vision Pro, duke “vizituar” vende të largëta virtualisht.
“E shoh të ardhmen ku kjo teknologji mund të ndryshojë vërtet jetën e njerëzve me paralizë”, tha ai.
Fundi është vetëm fillimi
Noland është pjesë e një studimi ku do ta mbajë çipin për 6 vjet. Pas kësaj, nuk dihet çfarë do të ndodhë.
“Dijem shumë pak për trurin. Kjo teknologji na jep mundësinë të mësojmë shumë më tepër,” përfundon ai.