Paralajmërimi i Qeverisë për rritje të pagave në sektorin publik nga janari i vitit të ardhshëm po konsiderohet se po realizohet për fushatë zgjedhore. Kështu vlerësojnë njohës të ekonomisë, të cilët theksojnë se kjo rritje është e ‘pamjaftueshme dhe e dështuar’.
Të njëjtit këtë rritje të pagave e quajnë të dështuar, pasi siç thonë ata “nuk kanë një planifikim makroekonomik të ndarjes buxhetore të drejtë, dhe ndarje buxhetore kundrejt vlerave dhe rritjeve të shpenzimit”.
Edhe njohësi tjetër i ekonomisë, Adem Qorrolli konsideron se është një dështim i këtyre institucioneve që nuk kanë planifikim makroekonomik të ndarjes buxhetore të drejtë.
“Parashohim një rritje të koeficientit kundrejt shpenzimeve, kundrejt rritjeve, taksave shtetërore dhe rritjes së çmimeve dhe të konsumit. Mund të them se është edhe një dështim i këtyre institucioneve që nuk kanë një planifikim makroekonomik të ndarjes buxhetore të drejtë, dhe ndarje buxhetore kundrejt vlerave dhe rritjeve të shpenzimit. Është edhe një paradoks i shkallëve tatimore, sepse më nuk e kemi shkallen tatimore me 4 për qind, dhe tashmë këto të hyra kur goditen edhe me 8 për qind, kjo vlerë do të ulet gradualisht edhe në taksat apo pagat e shërbyeseve civil. Tashmë kur kemi edhe një rritje të tatimit në pronë prej 110 apo 210 për qind për biznese, dhe rritjes së energjisë elektrike të vazhdueshme, besoj se kjo është ofenduese për çdo shërbyes civil, nuk është ajo e kënaqshmja dhe e pritshmja, por nuk është as edhe e mjaftueshmja, dëshirueshmja, të paktën për të mbijetuar dinjitetshëm. Kështu, me shkatërrimin e sektorit privat, tashmë po kalohet në institucionet shtetërore, dhe kjo është emergjente dhe e relativisht e rrezikshme për vendin”, thotë Qorrolli.
Qeveria e Kosovës ka vendosur që nga janari i vitit të ardhshëm të rris pagat për punonjësit e sektorit publikë për 55 euro në muaj, ndërsa nga korriku do të ketë rritje për 110 euro.
Nga kjo rritje do të përfitojnë, mësuesit, policët, infermierët, ushtarët dhe zjarrfikësit.
Sipas prezantimit të tabelës, mësuesit aktualisht kanë 616 euro pagën bazë, ndërkaq me rritje do të marrin 726 euro.
Policët nga 550 euro do të marrin 660 euro, infermierët nga 605 do të marrin 715 euro, zjarrfikësit nga 550 euro do të marrin 660 euro dhe ushtarët nga 616 euro do të marrin 726 euro.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se buxheti i planifikuar për vitin 2025 është 3.6 miliardë euro. /kp/Telegrafi/